Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka vlerësuar paraqitjen e Edon Zhegrovës në pjesën e parë të ndeshjes kundër Pafosit, por ka theksuar se sulmuesi kosovar duhet të rrisë nivelin fizik.
Spalletti ka dhënë edhe vërejtje për Pierre Kalulun dhe Weston McKennie-n, duke thënë se të dy lojtarët nuk e kanë ndihmuar aspak Zhegrovën në krahun e djathtë.
“Sipas mendimit tim, Edoni luajti shumë mirë në pjesën e parë. Megjithatë, ai ka nevojë të përmirësojë aspektin fizik. Gjatë pjesës së parë, as Kalulu e as McKennie nuk e ndihmuan, duke e lënë herë pas here të luajë 1 kundër 1, sepse qëndronin shumë lart dhe ‘mbytnin’ zonën e tij…. Tani ai ka 45 minuta në këmbë, kështu që duke vazhduar, ai mund të fillojë ndeshjet ose të luajë gjysmën e fundit të orës. Mund të marrim vendime të ndryshme.”, tha Spalletti.
Zhegrova, 26-vjeçar nga Kosova, startoi për herë të parë me Juventusin që nga transferimi në shtator.
Në sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Pafosit, të cilën Juve e fitoi 2:0, ai nuk arriti të lërë gjurmë dhe u zëvendësua menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë.