Të dënuarit për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë liruar me kusht me urdhër të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Vendimi është marrë më 19 shkurt dhe lirimi u mundësua me 21 shkurt me kushte të përcaktuara të cilat do mbesin në fuqi deri në përfundimin  dënimeve të dhëna nga Trupi gjykues.

“Kryetarja konstatoi se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Januzi dhe z. Bahtijari u shpallën fajtorë janë padyshim të rënda, duke pasur parasysh pasojat që ka frikësimi i dëshmitarëve për administrimin e drejtësisë, ekzistonin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tyre”.

Ndër kushtet që iu janë vendosur dy të akuzuarve për lirimin me kusht është qëndrimi i përhershëm në adresën e shtëpisë të cilën e ka Administratorja  dhe në rast që bëhet zhvendosja e përhershme e vendbanimit, duhet të merret leja përkatëse nga kryetarja e DhSK-së dhe duhet të njoftohet Administratorja.

Pas kësaj, të liruarit janë të obliguar që të raportojnë çdo javë në stacionin policor për të cilin ka njohuri Administrtaorja, të dorëzojnë pasaportat ose dokumente tjera të udhëtimit.

Ata janë të obliguar që të qëndrojnë në Kosovë dhe ta njoftojnë Administratoren për çdo dëshirë për të udhëtuar jashtë vendit për çka fillimisht duhet të kërkohet leje nga kryetarja e DhSK-së.

Sa i përket dëshmitarëve ose viktimave që janë në proceset e DhSK-së, të akuzuarit janë të obliguar që t’i shmangen çdo kontakti. Po ashtu, ata duhet t’i shmangen deklaratave publike dhe indirekte përreth DhSK-së dhe ZPS-së. Ndërsa, në rast të ndonjë interviste, ata duhet të kërkojnë leje miratimin nga Administratorja.

Të akuzuarit janë të obliguar që të respektojnë çdo vendim ose urdhër të DhSK-së e po ashtu duhet t’i shmangen çdo komenti negativ, të dhunshëm, intimidues, kërcënues ose shtrëngues ndaj dëshmitarëve ose personave të tjerë që janë në rrezik të bashkëpunimit të tyre me DhSK-në ose me ZPS-në.

Këto kushte janë vendosur për lirimin e dy të akuzuarve dhe janë në fuqi për pjesën e mbetur të dënimit përkatësisht deri më 4 tetor 2025.