Specialja merr sot vendim për Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot merret vendimi mbi pranimin e fajësisë nga Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë.

Shala, Januzi dhe Bahtijari e pranuan fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe për pengim të drejtësisë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranim të fajësisë në fund të dhjetorit 2024.

Në marrëveshjen e tyre me Prokurorinë, Shala u pajtua me një dënim deri në tri vjet burgim, Januzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj, ndërsa Bahtijari u pajtua se, në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.

Që të tre akuzoheshin se kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhej fjalë, e as në cilin rast parashihej të dëshmonte ai.

Bahtijari dhe Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Shala në dhjetor 2023. Koha e kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë prej atëherë, do t’iu llogaritet në vuajtjen e dënimit.

Çfarë thotë aktakuza për Shalën, Januzin e Bahtijarin?

Aktakuza e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik të vitit 2023, thotë se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, kontaktuan një dëshmitar.

Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.

Tutje në aktakuzë thuhet se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.

Vepra në grup, sipas Prokurorisë, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkaq, më 6 dhjetor 2024 Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se aktakuza u konfirmua kundër Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

“Debat Plus” prinë bindshëm, pakontestueshëm emisioni më i shikuar politik...

Mbi 15 mijë respodent i janë përgjigjur Exit Poll të realizuar nga UBO Consulting e të porositur nga Televizioni Dukagjini. Saktësia e këtij “Exit...

Osmani takon presidenten Keller-Sutter: Zvicra vazhdon të jetë një nga...

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidenten e re të Zvicrës, Karin Keller-Sutter në kuadër të takimeve që ka me liderë botërorë në konferencën...

Bëhuni pjesë e lojës shpërblyese të shtëpisë botuese “Dukagjini” –...

Shtëpia botuese “Dukagjini” fton të gjithë lexuesit të bëhen pjesë e garës “Review për librat tanë”. Në këtë konkurs, ftohen të gjithë lexuesit e botimeve...

Të fundit nga rubrika