Specialja ua pezullon vizitat dhe komunikimet Thaçit, Veselit e Selimit

Gjykata Speciale ka vendosur që Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit t'u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pretenduar se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar informata konfidenciale të dëshmitarëve të mbrojtur ose edhe pjesë të dëshmive të tyre për personat që i vizituan

Gjykata Speciale ka marrë vendim që Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet.

Ky vendim i Gjykatës erdhi pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendoi se të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar informata konfidenciale të dëshmitarëve të mbrojtur ose edhe pjesë nga dëshmitë e tyre për personat që i vizituan.

“Pas kërkesës së ZPS-së në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve për ndryshimin e kushteve të paraburgimit, Trupi Gjykues II ka urdhëruar disa masa të përkohshme për kufizimin e komunikimeve dhe të vizitave që mund t’u bëhen Hashim Thaçit, Kadri Veselit, dhe Rexhep Selimit. Trupi Gjykues ka vendosur se këto kufizime janë të përshtatshme, duke pasur parasysh rrezikun e nxjerrjes së paligjshme të informacionit konfidencial nga objekti i paraburgimit. Kufizimet do të jenë në fuqi përkohësisht, deri në momentin kur Trupi Gjykues të lëshojë vendimin e plotë në lidhje me themelësinë e kërkesës ZPS-së”, thuhet në vendim e Speciales.

Për pretendimet e Prokurorisë, Dukagjini ka biseduar me avokatin e akredituar pranë Dhomave Speciale të Kosovës (DhSK) me seli në Hagë, Artan Qerkinin.

Qerkni ka thënë se pretendimi i ZPS-së se Thaçi, Veseli kanë tentuar ndikojnë të dëshmitarët përmes vizitorëve është i “paqëndrueshëm”.

Pasi, sipas Qerkinit, vizitat dhe takimet monitorohen dhe incizohen, kështu është e pabesueshme që nën këto rrethana të ndikojnë në dëshmitarë përmes vizitorëve.

“Sa i përket pretendimit se z. Thaçi, Veseli dhe Selimi kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë përmes vizitoreve është i paqëndrueshëm, sepse të gjithë të pandehurit e dinë se bisedat me vizitorët dhe familjarët monitorohen dhe incizohen, prandaj nuk është e besueshme qe nën ekzistimin e këtyre rrethanave ata të tentojnë të ndikojnë në dëshmitarë”, ka thënë Qerkini.

Gjithashtu, Qerkini ka treguar se ku bie ndesh kërkesa e Prokurorisë, që Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, edhe me familjarë.

“Kërkesa e ZPS për ndalimin e vizitave të familjarëve bie ndesh me nenin 4. 2 të Udhëzuesit të Punës Të Zyrës Administrative, në lidhje me të paraburgosurit, sipas së cilës, ‘vizitat e familjarëve nuk mund te kufizohen në tërësi’”, ka thënë Qerkini.

“Kufizimet mbi vizitat dhe komunikimet midis të paraburgosurve dhe personave të tjerë, ndër të cilat kufizime të përgjithshme ose kufizime për një rast të caktuar, janë të domosdoshme për arritjen e synimeve legjitime, si garantimi i sigurisë ose rregullit në objektin e paraburgimit, parandalimi i trazirave ose kryerjes së krimeve, mbrojtja e shëndetit, ose mbrojtja e mirëqenies, sigurisë, të drejtave ose lirive të të tjerëve. Kufizimet janë proporcionale në raport me synimet e lartpërmendura dhe nuk rezultojnë asnjëherë në ndalim tërësor të kontakteve me familjen”, thuhet në nenin 4. 2 në Udhëzuesin e Punës i Zyrës Administrative në lidhje me të paraburgosurit.

Shija e redaktorit

Fëmijët e Suharekës mirëpresin serinë e re të librave të...

A do botoni libra të tjerë për moshën tonë? Kjo është kureshtja me të cilën u shoqërua takimi i nxënësve të Suharekës me Shtëpinë Botuese...

Libraria Dukagjini sjell promovimin e librit “Një Ditë Tjetër” të...

Të hënën, më 2 shkurt, ora 17:00 tek Libraria Dukagjini në Sheshin Nënë Tereza, në Prishtinë, hap dyert për promovimin e librit më të...

Nxënësit në Klinë e mirëpritën promovimin e 26 lektyrave nga...

Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t'i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara. ''Unë mendoj se pinokio është përrallë...

Të fundit nga rubrika