Specialja vazhdon bastisjet në kërkim të provave të reja kundër ish-krerëve të UÇK-së
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vazhduar bastisjet në kërkim të informacioneve dhe provave të reja që ndërlidhen me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Vetëm të martën mbrëma, ZPS ka kryer bastisje në të paktën tri lokacione, si dhe ka kryer intervistime në hapësirat EULEX-it. Ndër të intervistuarit ishte Nuhi Ahmeti, ish […]
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vazhduar bastisjet në kërkim të informacioneve dhe provave të reja që ndërlidhen me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Vetëm të martën mbrëma, ZPS ka kryer bastisje në të paktën tri lokacione, si dhe ka kryer intervistime në hapësirat EULEX-it.
Ndër të intervistuarit ishte Nuhi Ahmeti, ish i burgosur politik.
Për këtë ka njoftuar KMDLNJ-ja, ku Ahmeti është aktivist.
“Nuhi Ahmeti thotë se sjellja e policëve ishte në përputhje me mandatin e përcaktuar, se nuk kanë bërë asnjë dëm material dhe se ia kanë konfiskuar një telefon. Pas bastisjes i kanë lënë një ftesë për intervistim në EULEX, me datë 3 maj 2023, në ora 9:30”, thuhet në reagimin e KMDLNJ.
Televizioni mëson se Ahmeti u morr në pyetje për disa orë, ku u pyet për njohuritë që kishte për disa ngjarje gjatë luftës.
Ai mësohet se u konsiderua i rëndësishëm për t’u marrë në pyetje nga ZPS-ja, për shkak se ishte kontribues aktiv në luftën e UÇK-së, si dhe për rolin që kishte si aktivist i KMDLNJ-së në vitet e 90-ta.
Në këto bastisje, ZPS është asistuar nga EULEX-i, të cilët kanë refuzuar të japin detaje gjatë ditës.
“EULEX nuk ka mandat të kryej ndonjë bastisje. Ju lutem, adresoni pyetjet tuaja tek Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
ZPS ka kryer bastisje edhe disa javë më parë, në zyrat e medias “Demokracia”, që drejtohet nga ish-këshilltari i ish-Presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj.















