Në 29-vjetorin e daljes publike të UÇK-së, gruaja dhe djali vizitojnë Rexhep Selimin në Hagë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka vizituar bashkëshortin e saj, Rexhep Selimi, në Hagë, në 29-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka qenë e shoqëruar nga djali i tyre, ndërsa nga Haga ka publikuar një fotografi dhe një mesazh për këtë përvjetor.
Mehmeti-Selimi ka kujtuar daljen publike të UÇK-së, duke thënë se 29 vjet më parë, Rexhep Selimi, së bashku me Mujë Krasniqin dhe Daut Haradinajn, u bënë zëri i shqiptarëve që po luftonin për liri.
“Nga fushëbeteja kundër padrejtësisë, këtu në Hagë, sot kujtoj me krenari këtë ditë të rëndësishme të historisë sonë. Po në këtë ditë, kujtojmë 28 Nëntorin e lavdishëm të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit. Rroftë 28 Nëntori! Rroftë UÇK-ja! Rroftë kombi shqiptar!”, ka shkruar ajo.















