Nga Abu Dhabi në Evropë: Ukraina dhe Siguria Evropiane
Lufta në Ukrainë ka nxitur një debat të thellë mbi arkitekturën e sigurisë evropiane, konkurrencën gjeopolitike dhe pasojat ekonomike, duke vënë seriozisht në pikëpyetje rendin ndërkombëtar të etabluar veçanarisht pas Luftës së Ftohtë. Ndonëse përpjekjet diplomatike në Abu Dhabi (10 dhe 11 nëntor 2026) ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë dhe Ukrainës nuk rezultuan me një marrëveshje konkrete, ato treguan se konflikti nuk është vetëm përplasje ushtarake mes dy vendeve, duke rikthyer në tavolinë çështjet fundamentale të marrëdhënieve ndërkombëtare si ekuilibri i fuqisë dhe garantimi i sigurisë kolektive.
Megjithëse negociatat kishin për qëllim zgjidhjen që do t’i jepte fund luftës gati pesë vjeçare, ato morën një drejtim tjetër, jo krejtësisht të pa pritur, me diskutimet për arkitekturën e re të sigurisë evropiane. Sipas një analize të Qendrës për Studime Lindore (OSË), ato dështuan pothuajse plotësisht në arritjen e një kompromisi për armëpushim, ndërsa çështjet që kanë të bëjnë me territorin as që erdhën në shprehje (Rodkiewicz et al, 2026). Për këtë arsye, Abu Dhabi prodhoi një paradoks diplomatik: Agresioni rus ndaj Ukrainës mbeti nën hije, ndërsa e ardhmja e sigurisë evropiane u shndërrua në temë qendrore. Prandaj, tash e tutje, diskutimet me gjasë nuk do të limitohen vetem në atë se si t`i jepet fund luftës, por edhe se çfarë Evrope do të kemi pas saj. Sepse për Rusinë, Ukraina nuk është qëllimi përfundimtar, por rruga për një marrëveshje shumë më të gjerë. (Barbashin, 2026).
Siguria Evropiane, ekuilibri i fuqisë dhe dilema e sigurisë
Për t’i kuptuar zhvillimet në Abu Dhabi na ndihmon qasja e realizmit ofensiv të John J. Mearsheimer, i cili në veprën “The Tragedy of Great Power Politics’’ (2001), vlerëson se fuqitë e mëdha kanë për qëllim maksimizimin e fuqisë dhe garantimin e mbijetesës përmes ndikimit në sistemin ndërkombëtar. Sipas këtij autori, qasja e të cilit vazhdon të përdoret nga Rusia për legjitimimin e narrativave strategjike, siguria nuk varet vetëm nga synimet paqësore të shteteve, por edhe nga pozita e kapacitetet ushtarake në raport me shtetet tjera (Mearsheimer, 2001:29-33). Mbi këtë bazë, reagimi i Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes përceptohet si konkurrencë strategjike, në një rajon të cilin pretendon ta kthejë në zonë të influencës së saj (Goldgeier & Itzkoëitz Shifrinson, 2020:291-294). Mirëpo, në kritikën ndaj Mearsheimer-it, John M. Ovven evidenton jokonsistencën e interpretimit të tij me vetë logjikën e realizmit. Nëse sjellja e Rusisë shpjegohet si reagim ndaj zgjerimit të NATO-s, atëherë edhe aspiratat e shteteve të Evropës Lindore për anëtarësim në NATO duhen shpjeguar si reagim ndaj kërcënimit që ato përceptojnë nga Rusia, vëren ai (Owen, 2022).Prandaj, konfrontimi i këtyre dy qasjeve bëhet i pashmangshëm: në njëren anë, Rusia që e konsideron zgjerimin e NATO-s si kërcënim për pozitën e saj strategjike, dhe në anën tjetër, shtetet që aspirojnë integrimin euroatlantik, si Ukraina, të cilat i konsiderojnë kufizimet në orientimin strategjik, të padrejta dhe cenim të sovranitetit për aleancat dhe të ardhmen e tyre (Smith, 2024:501-507).
Ndonëse qasja e Mearshmeir-it na tregon se negociatat për Ukainën nuk kanë të bëjnë vetëm me territorin por edhe me ekuilibrin e fuqisë në Evropë, kjo s’do të thotë se e legjitimon agresionin rus në Ukrainë. Shtetet bëjnë përpjekje të vazhdueshme të ruajnë ekuilibrat përmes aleancave politike e ushtarake dhe kjo është arritur tashmë për një kohë të gjatë në Evropë falë marrëdhënieve transatlantike dhe mbrojtjes kolektive që garanton NATO-ja. Por, lufta në Ukrainë dhe debatet rreth negociatave me Rusinë, e kanë rishfaqur një problem strukturor që lidhet me mungesën e autonomisë strategjike evropiane dhe varësinë e saj nga potenciali ushtarak amerikan në fushën e mbrojtjes (Helwig, 2023:58-61). Kësisoj, ajo që sinjalizoi Abu Dhabi mund të shërbejë si test për kohezionin transatlantik dhe si alarm për evropianët që autonominë strategjike ta kthejnë në imperativ, në përputhje me ambiciet e tyre për të qenë aktor politik e ushtarak me peshë në skenën ndërkombëtare. Pikërisht në këtë drejtim çojnë reagimet e liderëve evropianë, duke mos e ndarë Ukrainën nga siguria e ardhshme e kontinentit. Sipas Presidentit francez, Emmanuel Macron, Evropa duhet vetë, në mënyrë të pavarur, përmes autonomisë strategjike, ta përcaktojë arkitekturën e saj të sigurisë dhe vizionin për mbrojtjen e interesave të përbashkëta (Euroneës, 12/11/2026). Ndërkaq, reagimi i kancelarit gjerman, Friedrich Merz ishte edhe më i drejtpërdrejt, duke theksuar se ‘’nuk mund të mirren vendime për të ardhmen evropiane pa pjesëmarrjen e vetë evropianëve’’ (Reuters, 14/11/2026). Këto qëndrime tregojnë se përveç unitetit politik, Evropa ka nevojë më shumë se kurrë për kapacitete të fuqishme politike, ekonomike e ushtarake, si një kusht i domosdoshëm në konkurrencën gjeopolitike dhe ekuilibrin ndërkombëtar të fuqisë.
Në këtë drejtim, reagimet evropiane artikulojnë tri çështje me rëndësi strategjike:
- a) S’mund të ketë vendimmarrje për arkitekturën e sigurisë evropiane pa përfshirjen e tyre;
- b) NATO mbetet shtylla e mbrojtjes së rendit euroatlantik (European Council, 10/11/2026), dhe
- c) Kapacitet evropiane të mbrojtjes duhet të rriten, si domosdoshmëri ndaj “pasigurisë” dhe “dilemës” së angazhimit amerikan në Evropë.
Implikimet për Balkanin Perëndimor: Rasti i Kosovës
Pavarësisht distancës gjeografike nga fronti i luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor është një rajon strategjik në të cilin ndryshimet eventuale të ekuilibrit të fuqisë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për paqen dhe sigurinë. Rajoni vazhdon të përballet me sfida serioze të sigurisë për shkak të ambicieve territoriale të Serbisë, ndërhyrjeve të jashtme dhe vonesave e paqartësive në proceset e integrimit euroatlantik. Lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës e ka rritur edhe më tutje rëndësinë strategjike të rajonit për BE-në dhe NATO-n. Në shtator të këtij viti, raporti i Parlamentit Evropian “Paving the Ëay to EU Enlargement: Assesing Potential Implications on Security and Defence’’, e trajton zgjerimin e BE-së pothuajse tërësisht si çështje të sigurisë evropiane, duke identifikuar në mes tjerash edhe mosmarreveshjet Kosovë-Serbi si faktorë që pengojnë bashkëpunimin dhe paqen e qëndrueshme rajonale (Ioannides, Centrone & Fernandes, 2026). Serbia vazhdon të jetë edhe më tutje leva strategjike e Rusisë në Ballkanin Perendimor, duke i ofruar një hapësirë ndikimi kundrejt orientimit euroatlantik të rajonit. Ky përcaktim gjeopolitik i Serbisë mbetet i njëjtë pavarësisht rotacionit politik me fitoren e Listës Studentore, duke rritur shqetësimet sa i përket sigurisë rajonale. Një analizë krahasuese e drejtorit të Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, konstaton se programi politik i pushtetit të ri nuk ka asnjë ndryshim me qeveritë e ish-regjimit të Vuçiqit në politikën e jashtme, duke konfirmuar vazhdimësinë gjeopolitike në raport me Kosovën, Rusinë dhe Kinën. Për më tepër, Fetoshi nxjerrë në pah një element mjaft interesant, duke argumentuar se Serbia e sheh BE-në vetëm si “kuletë, jo si orientim strategjik”, që synon përfitimin ekonomik, por pa iu nënshkruar harmonizimit strategjik me të (Fetoshi, 2026). Qëndrimi ndaj Kosovës, raportet me Rusinë e Kinën dhe bashkëpunimi euroatlantik projektohen njësoj, prandaj Serbia vazhdon të mbetet peng i të kaluarës dhe burim kërcënimi për paqen e sigurinë rajonale. Sidoqoftë, nga bisedimet në Abu Dhabi deri te debatet per të ardhmen e sigurisë evropiane dhe te ardhja e një pushteti të ri me program të vjetër në Beograd, Kosova duhet të vazhdojë ta trajtojë sigurinë e saj kombëtare, jo vetëm si mbrojtje e territorit por edhe si pjesë të pandashme të orientimit euroatlantik.














