Arrestohen dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur në Gjakovë, Sveçla: U sekuestruan armët dhe paratë
Dy persona të dyshuar për grabitjen e armatosur të kryer të hënën në mesditë në Gjakovë janë arrestuar, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka njoftuar se të dyshuarit janë identifikuar mbrëmjen e së hënës, ndërsa janë arrestuar gjatë ditës së sotme.
Sipas tij, arrestimi është rezultat i punës hetimore të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorisë.
"Falë punës intensive hetimore dhe veprimit efikas të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë, mbrëmë janë identifikuar, ndërsa sot janë arrestuar dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur të kryer dje në mesditë në Gjakovë, gjatë së cilës u plagos një qytetar dhe u rrezikua siguria e të tjerëve. Të njejtëve u janë sekuestruar edhe armët e krimit dhe sasi e konsiderueshme e parave.
Ky rezultat dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës, por njëkohësisht përcjell një mesazh të prerë për këdo që zgjedh rrugën e kriminalitetit. Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë. Çdo kryes do të identifikohet dhe do të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë.
Nuk do të lejojmë që individë të tillë të cenojnë sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve tanë. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbeten të panegociueshme", ka shkruar Sveçla.















