Gjykata Ndërkombëtare rrëzon kërkesën e Argjentinës për ndalimin e kërkimeve të naftës pranë Ishujve Falkland
Tribunali Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit ka refuzuar kërkesën e Argjentinës për pezullimin e përkohshëm të projektit të naftës “Sea Lion”, në veri të Ishujve Falkland. Vendimi u mor të shtunën me 18 vota kundër kërkesës dhe tri në favor.
Buenos Airesi kishte kërkuar ndalimin e shpimeve të reja dhe të instalimit të infrastrukturës së prodhimit, si dhe që Mbretëria e Bashkuar të mos jepte autorizime të reja për shfrytëzimin e burimeve në zonën e kontestuar, teksa vijon procesi i arbitrazhit. Ishujt administrohen nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa Argjentina pretendon sovranitet mbi ta dhe i quan Malvina.
Tribunali me seli në Hamburg vlerësoi se shqyrtimi i kërkesës lidhej me çështjen e sovranitetit mbi ishujt, e cila bie jashtë fushëveprimit të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit. Vendimi trajton kërkesën për masa të përkohshme, ndërsa procesi i arbitrazhit vazhdon.
Londra e mirëpriti vendimin, ndërsa presidenti argjentinas Javier Milei tha se vendi i tij do të vazhdojë t’i mbrojë të drejtat që pretendon në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Sipas afatit që Mbretëria e Bashkuar i paraqiti tribunalit, shpimet nuk pritet të nisin para marsit 2027, ndërsa nxjerrja e naftës nuk pritet të fillojë para marsit 2028, raporton Reuters përcjell Dukagjini.















