Inteligjenca artificiale mund të sjellë më shumë ndërprerje të sistemeve digjitale
Inteligjenca artificiale (AI) po zbulon dobësi të vjetra në sistemet kompjuterike, të cilat për dekada kanë mbetur të pazgjidhura, duke rritur rrezikun për ndërprerje të shërbimeve digjitale dhe sulme kibernetike, shkruan The New York Times.
Në një artikull të publikuar të shtunën, gazeta amerikane thekson se përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po e transformon ndjeshëm fushën e sigurisë kibernetike, duke zbuluar probleme të fshehura në softuerët që përdoren gjerësisht në internet.
Si shembull, artikulli përmend rastin e studiuesit të sigurisë kibernetike, Paulos Yibelo, i cili zbuloi një dobësi të quajtur “Upload2Shell” në softuerin Ghostscript, që përdoret për përpunimin dhe konvertimin e dokumenteve dhe imazheve.
Duke përdorur inteligjencën artificiale për të analizuar mënyrën se si shërbimet e ndryshme përpunojnë skedarët e ngarkuar nga përdoruesit, Yibelo zbuloi se kjo dobësi mund t'u mundësonte hakerëve të depërtonin në sistemet e kompanive të ndryshme, përfshirë ato të Google dhe Zoom, si dhe potencialisht mijëra kompani të tjera.
Dobësia lidhej me një version të softuerit Ghostscript, të krijuar fillimisht para 38 vjetësh, i cili mund të shfrytëzohej përmes ngarkimit të skedarëve që përmbanin fonte të modifikuara, duke mundësuar ekzekutimin e kodeve keqdashëse. Pas raportimit të problemit nga Yibelo, zhvilluesi i softuerit, Artifex, dhe kompanitë e prekura publikuan përditësime për ta adresuar atë.
Sipas The New York Times, ky rast është një tjetër dëshmi se si inteligjenca artificiale ka ndryshuar brenda pak muajsh mënyrën e identifikimit të dobësive në sistemet digjitale, duke krijuar një realitet të ri për sigurinë kibernetike.
Ndërkohë, gjatë dy javëve të fundit, Shtetet e Bashkuara janë përballur me një sërë ndërprerjesh teknologjike që kanë prekur shërbime bankare, produkte të Microsoftit dhe shërbime të Apple, si dhe një sistem të rëndësishëm të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA). Po ashtu, të gjitha fluturimet komerciale në SHBA u ndalën përkohësisht.
Këto probleme kanë nxitur shqetësime dhe spekulime në rrjetet sociale për mundësinë e sulmeve të gjera kibernetike që mund të prekin edhe sistemet bankare dhe infrastrukturën kritike.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se nuk kanë pasur prova që këto incidente janë shkaktuar nga sulme keqdashëse kibernetike. Për disa prej ndërprerjeve, me përjashtim të ndalimit të fluturimeve, ata kanë përmendur si shkak probleme gjatë përditësimeve të softuerëve, përmes të cilave kompanitë dhe institucionet po përpiqen të forcojnë sistemet e tyre kundër dobësive të reja.















