Në Debat Plus, Kabashi ka thënë se kundërshtitë brenda PDK-së për këtë çështje mund të jenë pjesë e një përplasjeje më të gjerë për qasjen ndaj Speciales, ndërsa ka shprehur bindjen se iniciativa nuk është ndërmarrë pa konsultime me ish-liderët e kësaj partie në Hagë.

“Është problem i brendshëm i PDK, por jo vetëm këtu. Unë mendoj që kundërshtitë brenda në raport me ligjin lidhet me një çështje më të madhe. Nuk mendoj që këta kanë bërë veprime në mënyrë autonome pa këshilla e sugjerime prej Hage. Askush nuk ma heq prej mendje që brenda PDK nuk ka pas përçarje për qasjen në raport me ligjin, nëse nuk ka pas përçarje brenda dy njerëzve që janë në Hagë”, ka deklaruar Kabashi.

Ai ka vlerësuar se nëse Thaçi dhe Veseli do të kishin pasur qëndrim të përbashkët për mënyrën se si PDK-ja duhej t'i qasej ligjit, nuk do të kishte kundërshti brenda partisë.

“Sikur të kishte unitet mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit se si me iu qas PDK ligjin, mendoj që nuk do të kishte aspak kundërshti”, ka thënë ai.

Kabashi, ndërkaq, ka shprehur qëndrimin se Hashim Thaçi nuk ka qenë në favor të ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.