Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, dekorohet me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” në Shqipëri
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, është nderuar me medaljen “Nderi i Forcave të Armatosura” gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri.
Siç bën të ditur FSK-ja, gjatë qëndrimit në Tiranë, Jashari është pritur me nderime ushtarake nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, njofton Dukagjini.
Në takimin mes dy gjeneralëve është diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Medalja “Nderi i Forcave të Armatosura” i është ndarë komandantit të FSK-së në shenjë vlerësimi për kontributin e tij dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave.
Tutje në njoftim thuhet se bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë synon të thellohet edhe më tej, me qëllim të përballimit të sfidave të përbashkëta të sigurisë në rajon dhe më gjerë.















