Konjufca në Athinë: Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian Opinionin për aplikimin e Kosovës
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Këtë kërkesë Konjufca e ka bërë gjatë pjesëmarrjes në takimin ministror të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Athinë të Greqisë, me organizimin e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis.
Sipas njoftimit të MPJD-së, Konjufca ka theksuar se një proces i besueshëm i zgjerimit të BE-së duhet t’u mundësojë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të përparojnë në bazë të meritave dhe reformave të realizuara.
Ai ka rikujtuar se kanë kaluar pothuajse katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke kërkuar hapa konkretë nga institucionet evropiane për avancimin e këtij procesi.
Gjatë fjalës së tij, Konjufca ka përmendur edhe përparimin e Kosovës në reformat demokratike, si dhe përputhjen e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP).
Ai ka theksuar gjithashtu gatishmërinë e Kosovës për të marrë pjesë në misionet dhe operacionet e Bashkimit Evropian.
“Republika e Kosovës e ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian, si përmes reformave, ashtu edhe përmes qëndrimit të saj të palëkundur në mbështetje të politikave të BE-së. Tani është koha që ky përkushtim të përcillet me hapa konkretë nga BE, duke i mundësuar Kosovës të ecë përpara në procesin e anëtarësimit, njësoj si vendet e tjera të rajonit”, ka deklaruar ai.















