Konservatorët drejt fitores në Spanjë
Partia konservatore e Spanjës, Partia Popullore (PP), pritet të fitojë numrin më të madh të ulëseve në zgjedhjet parlamentare, pas një gare të ngushtë, por do të ketë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox për të formuar qeverinë, sipas parashikimeve të sondazheve.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte më e larta që nga vendosja e demokracisë në Spanjë, pothuajse 50 vjet më parë.
Nëse Vox bëhet pjesë e një qeverie të udhëhequr nga Partia Popullore, kjo do të shënonte herën e parë që një parti e ekstremit të djathtë merr pjesë në pushtetin qendror në Spanjë që nga periudha e regjimit të Francisco Francos, raporton CNN.
Sondazhet dhe një exit poll sugjerojnë se kryeministri socialist, Pedro Sánchez, mund të largohet nga detyra pas tetë vjetësh në pushtet.
Ndërkohë, Juan Fernando López Aguilar, deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin Evropian, e ka cilësuar pjesëmarrjen e lartë të votuesve si historike.
Në një intervistë për BBC-në, ai ka thënë se zakonisht pjesëmarrja e lartë në zgjedhje u shkon në favor forcave progresiste, ndaj shprehu pritshmëri të larta për rezultatin.
I pyetur nëse partia do ta mbështesë Sánchez-in edhe në rast se ai humb pushtetin, Aguilar tha fillimisht se kjo çështje do të vendoset nga vetë partia.
Megjithatë, ai vlerësoi fushatën zgjedhore të socialistëve, duke e cilësuar atë dinamike dhe plot energji, shpresë e optimizëm.
Aguilar tha gjithashtu se Sánchez-i i ka bërë krenarë anëtarët e partisë dhe shprehu shpresën se numërimi përfundimtar do të tregojë rritje të përfaqësimit socialist në Parlament. Ai shtoi se partia, në çdo rast, qëndron pas liderit të saj.















