Kuvendi mban sot dy seanca plenare
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, e enjte, dy seanca plenare, njëra do të jetë vazhdim i seancave të mëparshme, ndërsa tjetra do të mbahet si seancë e rregullt.
Seanca e parë, e cila është vazhdim i seancës plenare të mbajtur më 12 dhe 13 nëntor, si dhe i asaj të 19 nëntorit, është caktuar të nisë në orën 10:00.
Në këtë seancë pritet të shqyrtohen pikat e mbetura nga mbledhjet e kaluara, përfshirë votimin e dy propozim-rezolutave: atë lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, dhe mungesën e barnave onkologjike, si dhe rezolutën për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Në rend dite janë edhe procedimi i nismave legjislative të qytetarëve, emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, si dhe propozimi i LDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ndërkaq, seanca e dytë plenare është caktuar të mbahet në orën 13:00.
Në rend dite të saj janë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.















