Policia britanike kundër terrorizmit ka bërë të ditur se 41-vjeçari është dorëzuar në kujdestarinë e ushtrisë amerikane, pas hetimeve lidhur me dyshimet për shkelje të sigurisë kombëtare dhe spiunazh.

Sipas BBC-së, oficeri është identifikuar si nënkoloneli Brandon Carroll Tyner, i cili shërben në Ushtrinë Amerikane që nga viti 2008.

AD PLACEHOLDER

Ai ishte i vendosur në kazermat Imjin, në Innsworth të Gloucestershire, ku ndodhet selia e Korpusit të Reagimit të Shpejtë të NATO-s.

Tyner ishte arrestuar javën e kaluar pranë Gloucesterit nga policia britanike kundër terrorizmit, në bazë të Ligjit për Sigurinë Kombëtare të vitit 2023. Ky ligj përfshin veprat që lidhen me marrjen ose zbulimin e informacioneve të mbrojtura, si dhe ndihmën ndaj shërbimeve të inteligjencës së huaj.

Ndihmëskomisioneri Laurence Taylor, drejtues i Policisë Kundër Terrorizmit, ka thënë se hetimi më pas i është kaluar partnerëve amerikanë.

“Këto janë akuza jashtëzakonisht serioze dhe reagimi ynë i përbashkët duhet të dërgojë një mesazh të qartë se do të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri kur dyshojmë për aktivitete të tilla spiunazhi”, ka deklaruar Taylor.

Edhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, ka konfirmuar se oficeri është në paraburgim si rezultat i një hetimi për spiunazh dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FBI-së, Ushtrisë Amerikane dhe partnerëve britanikë.

“Ne punuam së bashku për të identifikuar një kërcënim të mundshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe për të ndërmarrë veprime të shpejta. FBI-ja nuk ka tolerancë për askënd që tradhton betimin ndaj Shteteve të Bashkuara ose vë në rrezik sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë Patel.

Ndërkaq, gjeneral brigade Sean Stinchon ka thënë se rasti duhet të shërbejë si paralajmërim për çdo pjesëtar të ushtrisë që dyshohet se shkel betimin e tij.

“Sa herë që dyshojmë se dikush po tradhton besimin e ushtarëve të tjerë dhe po rrezikon mbrojtjen tonë të përbashkët, ne do t'ju identifikojmë dhe do të sigurohemi që drejtësia të vihet në vend”, ka deklaruar ai.