Një sulm ajror izraelit ka vrarë Naeem Abu Nahel, një zyrtar të lartë të sigurisë së Hamasit në Rripin e Gazës, bëjnë të ditur burime të Hamasit.

Sipas agjencisë Reuters, Abu Nahel drejtonte aparatin e sigurisë së brendshme të organizatës dhe u vra të martën në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës.

Ushtria izraelite dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet konfirmuan përmes një deklarate të përbashkët se kishin kryer një sulm ndaj një anëtari të lartë të Hamasit, por fillimisht nuk e identifikuan personin e shënjestruar.

Vrasja ndodh në një periudhë kur sulmet izraelite në Rripin e Gazës vazhdojnë, pavarësisht armëpushimit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili hyri në fuqi në tetor të vitit 2025.

Sipas raportimeve të Reuters, sulmet e së martës në zona të ndryshme të Gazës shkaktuan të paktën shtatë viktima, përfshirë edhe dy policë palestinezë.

Ndërkohë, Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.