Profesionistët shëndetësorë ofrojnë shërbime falas para Qeverisë, kërkojnë punësim dhe specializime transparente
Aksioni në sheshin “Skënderbeu” vjen një ditë pas protestës para Ministrisë së Shëndetësisë, ku u kërkua edhe pagesa e stazhit gjashtëmujor.
Iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë” ka nisur të dielën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Profesionistët shëndetësorë po ofrojnë shërbime mjekësore falas për qytetarët nga ora 12:00 deri në 15:30.
Përmes aksionit, organizatorët kërkojnë që institucionet t’u përgjigjen kërkesave të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe profesionistëve të rinj shëndetësorë për më shumë mundësi punësimi dhe zhvillimi profesional.
Në protestën e së shtunës para Ministrisë së Shëndetësisë, pjesëmarrësit kërkuan punësimin e profesionistëve të licencuar, konkurse transparente për specializime dhe pagesën e stazhit gjashtëmujor, raporton Dukagjini.
Përfaqësuesi i iniciativës, Besfort Racaj, tha gjatë protestës se në Kosovë janë 534 mjekë të papunë dhe se 650 mjekë kanë emigruar gjatë periudhës 2021–2026.















