Azemi u arrestua më 21 nëntor nën dyshimet për veprën penale të mashtrimit, ndërsa më 23 nëntor Gjykata Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, GoFundMe ka konfirmuar se fushata është mbyllur dhe se të gjitha paratë u janë kthyer dhuruesve.

“Ekipi ynë identifikoi keqinterpretimin e fakteve, që bien ndesh me rregullat tona. Si rezultat i kësaj, fushata për mbledhjen e parave është mbyllur dhe të gjithë dhuruesit janë rimbursuar. Asnjë para nuk ka shkuar te organizatori”, thuhet në përgjigjen e platformës.

Sipas GoFundMe, platforma ka zero tolerancë ndaj keqpërdorimit të saj dhe garanton mbrojtjen e donacioneve. Në rastet kur identifikohen parregullsi, ajo mund t'ua kthejë paratë dhuruesve.

Sa para dyshohet se u mblodhën?

Prokuroria Themelore në Gjilan pretendon se Azemi kishte grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206.8 euro, duke u paraqitur rrejshëm si i sëmurë me leukemi akute.

Nga kjo shumë, 162 mijë e 522 euro dyshohet se u mblodhën përmes platformës GoFundMe, ndërsa 26 mijë e 684.8 euro të tjera në qytetin e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, nga 9 deri më 21 nëntor, i dyshuari kishte përdorur dokumentacion të rremë, të cilin pretendonte se e kishte marrë nga një spital në Stamboll të Turqisë, për të dëshmuar se vuante nga kjo sëmundje dhe se kishte nevojë për trajtim jashtë vendit.

Ai kishte publikuar edhe video në rrjete sociale, përmes të cilave kërkonte ndihmë financiare për shërimin e tij.

Prokuroria ka bërë të ditur se, pas pranimit të informacioneve për dyshimet për mashtrim, kishte bllokuar paratë në llogaritë e evidentuara në kuadër të rastit dhe kishte arrestuar të dyshuarin.