Duke folur në Five në TV Dukagjini, Rexhepi ka thënë se mungesa e rreth 260 deri në 270 megavatëve neto nga kjo njësi krijon nevojë për zëvendësimin e energjisë përmes importit.

Sipas tij, kjo situatë u krijon mundësi tregtarëve të energjisë që të jenë aktivë në furnizimin e vendit.

“Duke qenë se kemi probleme të shumta edhe me mosfutjen e njësisë gjeneruese në prodhim, besoj që do të ketë mungesë të energjisë elektrike. Duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të energjisë në këto kushte, pra gjatë dimrit, konsideroj që do të ketë probleme me furnizimin me energji elektrike”, ka deklaruar Rexhepi.

Njësia B1 e Termocentralit Kosova B,nuk pritet të rikthehet në funksion para muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Kjo nënkupton se gjatë muajve të dimrit Kosova do të duhet të mbulojë mungesën e prodhimit të saj përmes burimeve të tjera, përfshirë importin.

Megjithatë, Rexhepi ka shprehur shpresën se kushtet më të favorshme klimatike mund ta lehtësojnë situatën, pasi një pjesë e konsumit të energjisë lidhet me ngrohjen.

“Gjithmonë po shpresoj që të kemi mot më të mirë, sepse një pjesë të konsumit e kemi termik. Ndoshta do të kemi kushte më të mira klimatike, në mënyrë që të mos kemi ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike”, ka thënë ai.