Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar për bashkëpunimin rajonal, integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.

Shiroka Pula ka vlerësuar rëndësinë e Procesit Brdo–Brijuni, të iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia, duke rikujtuar se Kosova është pjesë e tij që nga viti 2013, kur u mbajt takimi i parë në Slloveni.

Gjatë takimit, ajo ka theksuar se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe se vendi është i përkushtuar ndaj agjendës evropiane.

Presidentja ka nënvizuar se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në merita dhe të marrë parasysh progresin dhe reformat e secilit vend.

Ajo gjithashtu ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe synim kryesor në fushën e sigurisë.

Në këtë takim, Shiroka Pula ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, duke veçuar përkrahjen për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës dhe rëndësinë e vazhdimit të këtij angazhimi deri në përmbylljen e procesit.

Ndër të tjera, është diskutuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.