Temperaturat zbresin deri në -8 gradë gjatë javës, priten edhe reshje bore në viset e larta
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mot të ndryshueshëm gjatë kësaj jave, me vranësira, intervale me diell dhe reshje shiu, ndërsa në viset e larta priten edhe reshje bore.
Sipas parashikimit të IHMK-së, të hënën moti do të jetë kryesisht i vranët dhe me reshje shiu, kurse në zonat me lartësi më të madhe mbidetare priten reshje shiu dhe bore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 6 deri në 9 gradë.
Të martën parashihen vranësira të shpërndara dhe intervale me diell. Në orët e mëngjesit do të ketë ngrica dhe mjegull. Temperaturat minimale do të zbresin nga -5 deri në -3 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 3 deri në 6 gradë Celsius.
Të mërkurën pritet mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat në disa zona mund të sjellin riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të zbresin nga -8 deri në -4 gradë, ndërsa maksimalet do të lëvizin nga 2 deri në 6 gradë Celsius.
Të enjten moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme shiu. Temperaturat minimale do të jenë nga 0 deri në 3 gradë, ndërsa maksimalet nga 5 deri në 8 gradë Celsius.
Edhe të premten parashihet mot kryesisht i vranët, me mundësi për reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 5 gradë, ndërsa maksimalet nga 5 deri në 9 gradë Celsius.
Sipas IHMK-së, rënia më e theksuar e temperaturave pritet në mesin e javës, veçanërisht të mërkurën, kur temperaturat minimale mund të arrijnë deri në -8 gradë Celsius. Këto kushte do të favorizojnë paraqitjen e ngricave të mëngjesit, ndërsa në disa zona mund të ketë edhe mjegull, duke vështirësuar përkohësisht dukshmërinë.
Instituti ka bërë të ditur se kushtet biometeorologjike do të jenë të ndryshueshme për shkak të temperaturave të ulëta dhe lagështisë së shtuar. Këto ndryshime mund të ndikojnë veçanërisht te personat meteorosensitivë dhe ata me sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator.
Ndërkaq, ngricat mund të ndikojnë edhe në kulturat bujqësore të ndjeshme ndaj temperaturave negative, ndaj rekomandohet kujdes për kulturat dimërore, pemishtet dhe sipërfaqet e ekspozuara ndaj të ftohtit.















