Vitia për suspendimin e katër farmacistëve: Hetimi ka nisur muaj më parë dhe do të vazhdojë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se hetimi lidhur me problemet në furnizimin me barna ka nisur disa muaj më parë dhe se suspendimi i katër farmacistëve nuk shënon përfundimin e këtij procesi.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, në përgjigje të kritikave të deputetëve për mungesën e barnave dhe masat e ndërmarra ndaj farmacistëve, Vitia ka sqaruar se hetimi kishte nisur shumë kohë përpara se rasti të bëhej publik.
Ai ka thënë se publiku ishte informuar një ditë pas nisjes së hetimeve, ndërsa suspendimi i katër farmacistëve ishte bërë në ditën kur ai po raportonte në Kuvend, në kuadër të interpelancës.
Ministri ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë edhe më tej dhe se deri më tani janë ndërmarrë masa për çështjet e evidentuara te farmacistët.
“Ky hetim ka filluar muaj më parë dhe, për informimin tuaj, publik është bërë një ditë pas, por suspendimi ka ndodhur në ditën kur është mbajtur seanca, kur kam qenë në interpelancë. Ky hetim nuk mbaron këtu. Do të thotë, ka filluar dhe për atë që është evidentuar te farmacistët janë marrë masa, ndërsa hetimi po vazhdon”, ka deklaruar Vitia.















