Vrasjet e pasluftës, Haziri: Nuk është vendosur drejtësi, jam kundër çdo lloj konsumimi politik
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se vrasjet e pasluftës vazhdojnë të mbeten pa drejtësi dhe se kërkesa për zbardhjen e tyre duhet të jetë e vazhdueshme.
Në Debat Plus, Haziri ka deklaruar se është kundër përdorimit të kësaj çështjeje për konsumim politik, duke theksuar se drejtësia për të gjitha viktimat duhet të jetë kërkesë e vazhdueshme e shtetit.
“Nuk është vendosur drejtësi. Përderisa nuk vendoset drejtësi, ne kemi me vazhdu me insistu me kërku, por jam kundër çdo lloj konsumimi politik. Përfundimisht. Asnjë agjendë politike nuk e justifikon ajo që ndodh në politikë, sepse drejtësi për gjithë është kërkesë konsistente e jonja, edhe imja, edhe e LDK-së, duhet me qenë e shtetit”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka theksuar se familjet e viktimave presin prej vitesh zbardhjen e vrasjeve dhe se, pavarësisht kalimit të kohës dhe brezave, kërkesa për drejtësi mbetet e njëjtë.
“Drejtësia duhet me u vendosë, nuk duhet me humbë besimin në drejtësi. Nuk po du me qenë prej atyneve që thonë se drejtësia vonon, është drejtësia e mohuar. Po du me besu që drejtësia, përfundimisht, do të ketë herët a vonë”, ka thënë ai.















