Stafi mbështetës i infermierëve gati 2 muaj pa paga, nuk u jepen as 100 eurot e Qeverisë

Stafi mbështetës i infermierëve të rekrutuar në kohën e pandemisë Covid-19 ka më shumë se dy muaj që nuk kanë marrë paga edhe pse kanë kontrata valide deri me datën 15 qershor të këtij viti. Po ashtu, kjo kategori nuk ka përfituar as nga masa e 100 eurove nga Qeveria e Kosovës

Foto ilustruese

Në kohën kur Kosova përballej me një fluks të lartë të infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e virusit Covid-19, Ministria e Shëndetësisë (MSH) kishte marrë vendim që t’i rekrutojë si staf mbështetës rreth 840 infermierë, me qëllim që “lufta” ndaj këtij virusi të ishte më e lehtë.

Thirrjes për aplikim iu përgjigjën menjëherë mijëra infermierë nga i gjithë vendi, të cilët siç edhe thuhej nga vetë zyrtarët e MSH-së, filluan të punonin në “vijën e parë të frontit”, në qendra të vaksinimit, në të gjitha qytetet e Kosovës.

Tash kur rastet e vdekjes dhe infektimeve kanë rënë, kjo kategori nuk po vlerësohet si duhet. Stafi mbështetës i infermierëve, që kanë ende kontrata të vlefshme, të cilat u skadojnë më 15 e qershor të këtij viti, ka gati dy muaj që nuk po marrin pagë edhe pse një gjë e tillë u takon nga kontratat e tyre valide.

Pos kësaj, edhe pse konsiderohen punëtorë të një institucioni publik, ata nuk e kanë marrë as shtesën e 100 eurove që është paraparë të ndahet nga Qeveria e Kosovës, për të gjithë punëtorët e sektorit privat dhe publik.

Infermierët e Kosovës në protestën e tyre në kohën e pandemisë

Në lidhje me këtë çështje, Portali D, ka provuar të kontaktojë disa herë në mënyra të ndryshme me Ministrinë e Financave, por përgjigjja ka munguar.

Ndryshe nga ta, Ministria e Shëndetësisë e ka kthyer përgjigje duke thënë se, bashkë me Ministrinë e Financave, janë duke e trajtuar çështjen për kryerjen e pagesave që nuk janë bërë ende.

“Sa i përket pagesës mujore për stafin e angazhuar për ballafaqim me pandeminë COVID-19, MSh dhe Ministria e Financave janë duke e trajtuar këtë çështje për të kryer pagesën që nuk është bërë ende”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse për masën e 100 eurove, MSh-ja ka thënë se nuk e dinë saktësisht se a duhet apo jo që kategoria e stafit mbështetës të infermierëve të aplikojë për këto mjete.

Ministria e Shëndetësisë

Sipas MSH-së, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është organi kompetent ku duhet marrë informacione nëse përfshihen në këtë masë edhe kategoritë që nuk kanë kontrata të përhershme.

Sipas tyre, pagesa e këtij stafi nuk bëhet nga sistemi i pagave, por nga mallrat dhe shërbimet.

“Sa i përket vendimit për 100 euro nga masa e vendosur nga Qeveria e Kosovës, duhet të merrni informacione të sakta nga ATK, nëse ata duhet të aplikojnë për to apo jo, meqë te njëjtit, nuk janë staf me kontrata te përhershme, por janë të angazhuar për ballafaqim me pandeminë COVID-19, bazuar në Ligjin nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. Dhe pagesa e tyre nuk bëhet nga sistemi i pagave, mirëpo pagesa bëhet nga mallrat dhe shërbimeve”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Portali D, ka kontaktuar edhe me ATK-në, të cilët kanë thënë se kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Financave. Por,  siç u theksua më lart, kjo ministri ka qenë e paqasshme për ditë me radhë.

Mungesa e pagës për afro dy muaj, i ka shqetësuar punëtorët e stafit mbështetës të infermierëve. Sipas tyre, në kohën kur situata me Covid-19 ka qenë tejet e vështirë, ata nuk kanë hezituar asnjëherë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

Infermierja me inicialet Q.M nga Komuna e Gjilanit, ka treguar për Portali D, shqetësimet e saja dhe të kolegëve, në lidhje me situatën e krijuar.

“Unë jam infermiere e përgjithshme, e punësuar si staf mbështetës në qendrën e vaksinimit ne Gjilan, gjatë kohës se pandemisë. Pavarësisht se sa e vështirë ka qenë ajo periudhë, ne nuk kemi hezituar në asnjë situatë për t’i ndihmuar qytetarët e vendit tonë. Ka ndodhur që kemi punuar edhe pa asnjë ditë pushimi, vetëm e vetëm që të mund të mbrojmë sa më shumë njerëz prej këtij virusi”, ka thënë ajo.

Ilustrim

Ajo ka shtuar se, janë bërë më shumë se 50 ditë që nuk kanë marrë pagë, dhe se për këto vonesa nuk kanë marrë asnjë informacion nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave.

Po ashtu, infermierja thekson faktin se u është premtuar se do t’i marrin 100 eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës, por sipas saj, as kjo nuk ka ndodhur.

“Nuk ka qenë e lehtë për ne, kjo është e padiskutueshme… por më të vështirë këtë punë e bën mosrespektimi i pagesës sonë. Nuk kemi maërrë paga që tashm gati 50 ditë dhe askush nuk na ka dhënë informacion për këtë vonesë edhe pse jemi interesuar e kemi pyetur ne dy ministritë; atë të shëndetësisë dhe të financave. Shpresa jonë ishte edhe te 100 eurot, të cilat na i premtuan, por as për to nuk u diskutua asgjë, nuk jemi ne dijeni se a jemi ne listë për to a po jo”, ka shtuar ajo.

Edhe infermieria tjetër B.U, ka shfaqur revoltën e saj për mungesën e pagës dhe mosndihmës nga Qeveria me masën 100 euro. Ajo ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që ka pasur vonesa të ngjashme.

Shqetësim i madh, sipas saj, është edhe mundësia për të mos i vazhduar kontratat pas datës 15 qershor, kur ato skadojnë.

Covid-19 ilustrim

“Jemi shumë të revoltuar nga kjo gjendje në te cilën ndodhemi, përpos që nuk e dimë se ç’do bëhet me fatin tonë pas 15 qershorit, ne nuk jemi paguar ende për muajin Prill, ndërsa sot është data 12 maj… të ndodhin këto parregullsi në institucione publike nuk e kemi pritur asnjëherë dhe me e keqja qëndron aty se nuk është hera e parë që po kemi vonesa në paga”, ka thënë ajo për Portali D.

“Vazhdimi i kontratave tona, të cilat do të skadojnë me datë 15 qershor të këtij viti, do të ishte shume ndihmë për ne, për shkak se mundësia e mospunësimit më pastaj do të sillte dëshpërim të madh për të gjithë ne. Dhe nuk do të jetë çudi kur te largohemi duke kërkuar për mundësi të reja”, ka shtuar B.U.

Përveç si shqetësues, anëtari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, e ka quajtur edhe diskriminues faktin e mospagesës së stafit mbështetës të infermierëve, të cilët ishin rekrutuar në valët më të mëdha të pandemisë Covid-19.

Sipas Havollit, kjo kategori e infermierëve kanë pasur angazhim të jashtëzakonshëm gjatë asaj kohe, dhe se kur tashmë numrat e infektimeve janë ulur, nuk po trajtohen dinjitetshëm nga institucionet e Kosovës.

“Është shqetësim dhe diskriminim për shkak se stafi mbështetës i infermierëve me kompetencë dhe përgjegjësi, dhe me një angazhim të pashoq në kohën e Covidit. Ata ia kanë dalë shumë mirë duke i shërbyer vendit në një kohë të vështirë, e në anën tjetër janë të penalizuar me mungesën e pagesës, qoftë për shtesa, por edhe për pagën mujore”, ka thënë Havolli.

Fitim Havolli, anëtar i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës

Ai ka bërë të ditur se e kanë informuar për këto probleme ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, nga i cili kanë kërkuar që sa më parë, t’iu bëhen pagesat mujore stafit mbështetës të infermierëve.

Po ashtu, kërkesë tjetër që i ka shkuar ministrit Latifi, është edhe vazhdimi i kontratave të cilat skadojnë me 15 qershor të këtij viti.

“Realisht ne i kemi njoftuar, bashkë me përfaqësuesit të grupit shtesë të infermierëve. Një grup prej tyre, përfaqësuesit e tyre e kanë njoftuar ministrin për këto shqetësime të tyre. Ata kanë kërkuar që t’iu vendosen pagesat që i obligon kontrata.  Kam informata që ministrit i është dërguar letër për njoftimin, që kësaj kategorie i skadon kontrata në qershor dhe kanë kërkuar nga ai që të vazhdohen kontratat  e tyre”, ka shtuar Havolli.

Më 12 maj të këtij viti, infermierët i kanë dërguar letër publike ministrit të shëndetësisë, ku edhe kanë kërkuar vazhdimin e kontratave të tyre.

Logo e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK)

Ndërkaq, vetë Oda e Infermierëve të Kosovës, me rastin e 12 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, ka theksuar nevojën e mungesës së stafit të infermierëve në të gjitha komunat e Kosovës. Disa nga shqetësimet tjera të tyre ishin edhe niveli i ulët i sigurisë në punë, mungesa e kushteve profesionale të punës si dhe pagat e ulëta.

Sipas Odës së Infermierëve të Kosovës, 119 infermierë kanë ikur nga Kosova vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa rreth 340 prej tyre e kanë lëshuar vendin gjatë vitit.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika