Starmer: Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore në Ukrainë
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore në sigurimin e paqes në Ukrainë, teksa la të kuptohet se disa shtete janë të gatshme të ndihmojnë që të mbrohet një marrëveshje e mundshme e paqes. Udhëheqësi britanik sërish bëri thirrje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar presidentin […]
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore në sigurimin e paqes në Ukrainë, teksa la të kuptohet se disa shtete janë të gatshme të ndihmojnë që të mbrohet një marrëveshje e mundshme e paqes.
Udhëheqësi britanik sërish bëri thirrje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar presidentin rus, Vladimir Putin, që të shkelë ndonjë marrëveshje të mundshme armëpushimi. Këto deklarata ai i bëri pasi mirëpriti dhjetëra udhëheqës evropianë dhe zyrtarë të NATO-s në Londër.
Ky samit u mbajt dy ditë pas një përplasjeje të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
“Evropa duhet të marrë përsipër barrën kryesore, por për të mbështetur paqen në kontinentin tonë dhe që të kemi sukses kjo përpjekje duhet të ketë mbështetje të fuqishme nga SHBA-ja”, tha Starmer pas takimit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ishin në mesin e dhjetëra udhëheqësve evropianë që iu bashkuan Starmerit dhe Zelenskyt për bisedime në Londër.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, po ashtu morën pjesë në samitin e sigurisë.
Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.
“Kjo hua do të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës dhe do të rikthehet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”, deklaroi Zelensky përmes rrjeteve sociale.
Kjo nuk është një shumë që ndryshon lojën, por ofron një lloj ngushëllimi për Zelenskyn, pas përplasjes së paprecedent dhe të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump, pas së cilës ai u largua më 28 shkurt nga Shtëpia e Bardhë më herët seç pritej dhe duarbosh.
Konferenca në Londër mori një rëndësi të re që nga ky konfrontim në Zyrën Ovale dhe ringjallja e raportit mes Trumpit dhe Zelenskyt me gjasë do të jetë pikë kryesore e agjendës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, – që mori pjesë në samit – tha më herët se Zelensky duhet të gjejë një mënyrë për të përmirësuar raportin. Ende është e paqartë se diçka e tillë është e mundur të arrihet. Por, Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehej “kur të dëshirojë paqe”.
Para samitit, Starmer takoi ndarazi me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Ajo mund të jetë figurë e rëndësishme në përpjekjet e Evropës për të bindur Uashingtonin se ka nevojë për mbështetje të Ukrainës.
Meloni po ashtu zhvilloi një takim të ndarë edhe me Zelenskyn, ku diskutuan për “zhvillimin e një plani të përbashkët veprimi për t’i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha presidenti ukrainas. Ai shtoi se Ukraina ka nevojë që paqja të mbështetet nga garanci të sigurisë.
Një mbështetëse e Ukrainës, Meloni po ashtu është ideologjikisht e afërt me Trumpin dhe ai e ka lavdëruar udhëheqësen italiane.
Edhe para vizitës së Zelenskyt në Uashington, udhëheqësit evropianë kanë treguar se ka urgjencë që ata ta bëjnë veten të rëndësishëm për administratën e Trumpit.
Kjo u nxit nga deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë që sugjeruan se Evropa nuk do të përfshihet drejtpërdrejtë në negociatat për paqe në Ukrainë dhe për shkak të shenjave se SHBA-ja dhe Rusia po përmirësojnë raportet.
Bisedimet e tjera paraprake të krizës janë mbajtur në Paris javën e kaluar dhe ato u përqendruan në atë nëse Evropa mund të krijojë një forcë paqeruajtëse që do të dislokohej në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi apo të paqes, por edhe për arritjen e synimeve për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.
Fituesi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani, Friedrich Merz, deklaroi një javë më parë se Evropa duhet të “pavarësohet” nga Shtetet e Bashkuara.
Pas vizitës së Zelenskyt në Uashington, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të mbështeste masa për të ndihmuar Ukrainën që “t’i bëjë ballë agresionit të Rusisë edhe nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin mbështetjen e tyre”.
“Ky është një test historik për Evropën”, tha kryeministri çek, Petr Fiala, më 1 mars. “Ajo duhet të kujdeset për sigurinë e saj”.
Pas samitit, Zelensky gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar është takuar edhe me Mbretin Charles III.
Takimi me Charlesin për Zelenskyn vë në pah mbështetjen e Britanisë për të dhe dëshirën e saj për të vepruar si një urë dhe paqebërës mes Uashingtonit dhe Kievit./Radio Evropa e Lirë















