Ish-deputetja e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo, Jeta Statovci, ditë më parë i është bashkangjitur ekipit të ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilët tashmë janë pjesë të Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Ajo ka thënë se pa prezencën e Vjosa Osmanit në partneritet, marrëveshja e arritur dikur mes Albin Kurtit dhe Osmanit nuk kishte më kuptim partneriteti.
Ajo ka treguar se si kishte marrë vendimin që të distancohej nga Lëvizja Vetëvendosje, që së bashku me Vjosa Osmanin të bëhen pjesë e LDK-së.
“Unë personalisht kam qenë pjesë e grupit parlamentar, por unë asnjëherë nuk kam qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Prezenca ime në atë listën e përbashkët është bërë me përbashkimin e dy figurave, pra Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, përmes një marrëveshjeje politike të realizuar në vitin 2021. Dhe ne kemi garuar me një listë të përbashkët e cila edhe atëherë mbante emrin Lista Vjosa, pra që personifikoheshim direkt me Vjosa Osmanin”.
“Figura e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit për mua nuk kanë qenë vetëm dy emra në politikë, kanë qenë lidership, vizion, përfaqësim i një ideologjie, të cilat kanë qenë të ndryshme me rrugëtime të ndryshme, mirëpo si përbashkim ka qenë i nevojshëm për ta ristrukturuar dhe ndryshuar skenën politike dhe me këtë ndryshim mendoj që një hise të madhe e ka Vjosa Osmani”, ka thënë ajo.
Më tej ajo ka shtuar se diferencat ideologjike mes VV-së dhe Vjosa Osmanit nuk kanë qenë aq të rëndësishme karshi kauzave, për të cilat ajo ka thënë se i konsideronin si çështje më madhore.
Statovci ka thënë se në fillim, kur kishte filluar një përçarje, ishin munduar ta mbanin larg publikut dhe në kuadër të kornizave të brendshme të diskutimit.