Jeta Statovci, deputete e Grupit Parlamentar të LVV-së, njëherësh edhe pjesë e Listës Guxo, gjersa ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se pala serbe ka shkelur 8 nga 11 pikat e Marrëveshjes së Ohrit.

“E meta e këtij procesi është se gjithçka mbështetet në fakt që ka mungesë të besimit nga dy palët. Edhe vetë fakti që ende pa u bërë dy muaj, tetë pika nga 11-të pikat janë të shkelura, jep indikacione se sa faktikisht kemi një palë serioze në procesin e këtij normalizimi”, ka deklaruar ajo në Debat Plus.

Ndër të tjera, ajo ka theksuar se pala kosovare ka shfaqur konstruktivitet në dialogun me Serbinë, duke shërbyer si avokuese e një zgjidhjeje që synon stabilitetin.

Në të kundërt, ajo ka vërejtur se pala serbe vazhdimisht ka tentuar të gjejë zgjidhje që mund të hapin vrima të reja për konflikte potenciale.

“Unë mendoj që pala kosovare ka treguar konstruktivitetin e vet, pasi ka prokalmuar dhe ka qenë avokuese të asaj për një zgjidhje, e cila ofron stabilitet, e nga pala serbe vazhdimisht e shohim që tenton për një zgjidhje e cila lë vrima të reja të konflikteve potenciale”, ka thënë ajo.

Si erdhi deri te marrëveshja?

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim.

Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Në rundin e dialogut, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe Escobar.

Propozimi evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka argumentuar se marrëveshja ofron “njohje de facto”, ndërkaq sa i përket Asociacionit, ai i është referuar nenit 7, duke thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se me këtë dokument, formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të Zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.