Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kërkuar Rusisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e pjesëmarrjes në traktatin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dyja palëve.

Në fjalimin e 21 shkurtit drejtuar kombit, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se është “i detyruar të njoftojë se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”, shkruan Reuters.

Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.

I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021.

I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.

Stoltenberg ka thënë se Rusia po përgatitet për eskalim të luftës, e jo për paqe.

Ai ka theksuar se NATO-ja po planifikon që të mbajë një takim me ekspertë të prokurimit të armëve për t’u siguruar që Ukraina do t’i ketë armët që i nevojiten.

Putin: Rusia pezullon pjesëmarrjen në traktatin me ShBA-në për armët bërthamore