Shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia mbi të cilat bazohet edhe kundërshtimi i saj ndaj aplikimeve të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike (NATO), janë legjitime.

Kështu ka thënë të dielën e 12 qershorit, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Finlandë.

“Këto janë shqetësime legjitime. Kjo ka të bëjë me terrorizmin, ka të bëjë me eksportin e armëve“, është shprehur Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin finlandez Sauli Niinisto, shkruan Reuters.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Stoltenberg bashkë me Niinstion kanë deklaruar se bisedimet me Turqinë do të vazhdojnë, por nuk ofruan asnjë tregues për përparim në negociata.

“Takimi i aleancës në Madrid nuk ishte një afat përfundimtar“, ka thënë Stoltenberg, duke iu referuar takimit të nivelit të lartë të NATO-s që mbahet në Madrid, në fund të muajit qershor.

Ndërkaq, Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’iu bashkuar aleancës perëndimore të mbrojtjes, muajin e kaluar, si përgjigje ndaj sulmit rus në Ukrainë.

Por ata janë përballur me kundërshtinë e Turqisë, e cila i ka akuzuar për mbështetjen dhe strehimin e militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që ajo i konsideron terroriste.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është deklaruar se ende synon që të bllokojë anëtarësimin në Aleancën Veritatlantike (NATO), të Finlandës dhe Suedisë.

Erdogan ka thënë se takimet e zhvilluara gjatë kësaj jave me delegacionet e këtyre dy shteteve nuk ishin “në nivelin e pritshëm”, teksa ka theksuar se nuk është ndërmarrë asnjë hap për të lehtësuar shqetësimet e sigurisë që ka Turqia.

“Për aq kohë sa Tayyip Erdogan të jetë në krye të Republikës së Turqisë, ne nuk mund të themi ‘po’ për anëtarësimin në NATO të shteteve që mbështesin terrorizmin”, ka thënë Erdogan para mediave.

Turqia po kundërshton aspiratat e Suedisë dhe Finlandës për NATO, duke argumentuar se këto dy shtete strehojnë persona që janë të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, që Turqia e konsideron organizatë terroriste.

Erdogan s’ndryshon qëndrim ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO