Stoshiq: Vuçiq është hibrid i të gjithë liderëve serbë, prej të cilëve mori më të keqen

"Sa i përket Vuçiqit, ai ka nxjerrë përfundime nga sundimi i ndoshta të gjithë pushtetarëve të mëparshëm që kanë qenë në 25 vitet e fundit në Serbi, duke filluar nga Millosheviqi përmes Gjingjiqit, Koshtunicës dhe Tadiqit – ai ndoshta ka bërë një analizë të të gjithëve dhe përpiqet të injorojë të gjitha gabimet e tyre dhe ia del mbanë"

Gazetari serb: Vuçiq është hibrid i të gjithë liderëve serbë, prej të cilëve mori më të keqen

“Mendoj se Vuçiq është hibrid i të gjithë liderëve të Serbisë, prej të cilëve mori më të keqen”, thotë në një intervistë për Geopost, Aleksandar Stoshiq, magjistër i shkencave politike dhe ish-gazetar dhe redaktor i gazetës së Beogradit, Danas.

Stoshiq ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka mësuar nga gabimet e udhëheqësve të kaluar të Serbisë, por jo për përmirësimin e shoqërisë, por për ta ruajtur pushtetin dhe regjimin e tij.

Kështu, Stoshiq thekson se Vuçiq ka marrë më të keqen nga të gjithë.

“Sa i përket Vuçiqit, ai ka nxjerrë përfundime nga sundimi i ndoshta të gjithë pushtetarëve të mëparshëm që kanë qenë në 25 vitet e fundit në Serbi, duke filluar nga Millosheviqi përmes Gjingjiqit, Koshtunicës dhe Tadiqit – ai ndoshta ka bërë një analizë të të gjithëve dhe përpiqet të injorojë të gjitha gabimet e tyre dhe ia del mban. A është perfiditet apo në fakt thjesht mëson nga gabimet e paraardhësve, por jo në kuptimin e përmirësimit të cilësisë së shoqërisë dhe zhvillimit të institucioneve demokratike, pluralizmit, transparencës, por duke i kthyer të gjitha këto në drejtim të vetëruajtjes së pushtetit dhe dhunës së zhveshur”, ka thënë Stoshiq.

“Në këtë kuptim, ai nuk është më perfid, por është shumë më i aftë sepse ka një sfond historik, të cilit mund t’i referohet dhe aftësinë për të sunduar shumë më fuqishëm. Midis viteve 2000 dhe 2012, ne patëm një atmosferë relativisht të përmirësuar në rajon, ku liderët serbë, properëndimorë, kishin marrëdhënie më të mira me vendet e tjera fqinje. Kujtojmë marrëdhënien e Tadiqit me presidentin kroat Josipoviq”.

Stoshiq më tutje në intervistë ka theksuar se zgjidhja e çështjes së Kosovës, sado e dhimbshme të jetë, mund ta kthejë shoqërinë drejt së ardhmes dhe të përpiqet ta vendosë të kaluarën në një kornizë të pranueshme për ta kuptuar secilin prej nesh.

“Me liderët serbë me origjinë nacionaliste, të djathtët, asgjë nuk pritet dhe asgjë nuk mund të dihet paraprakisht. Politika e ‘shkopit dhe karotës’ duket se po funksionon mirë për ta, ata po përpiqen ta zgjasin atë shkop sa më fleksibël. Mirëpo, gjoja të gjithë e dimë, të paktën kështu është vërtetuar në opinionin publik, se Perëndimi pret qartë prej tij (Vuçiqit) njohjen dhe premtimin se do të përfundojë. Do të doja që kjo të ndodhte sepse populli i Kosovës po vuan tmerrësisht, serbët në Kosovë po vuajnë tmerrësisht, serbët në Serbi po vuajnë nga apatia e rëndë sepse nuk e dinë se çfarë është e tyre. Kjo është arsyeja pse zgjidhja, sado e dhimbshme, mund ta kthejë shoqërinë drejt së ardhmes dhe të përpiqet ta vendosë të kaluarën në një kornizë të pranueshme për ta kuptuar secilin prej nesh. Dhe ndoshta duhet të bëhet e qartë në vitet e ardhshme se si ndodhi dhe çfarë ndodhi historikisht”, ka theksuar Stoshiq.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se ekziston mundësia që gjithçka të përfundojë si rasti që ishte në Kiev në vitet 2013/2014 kur përfundimisht u nënshkrua Marrëveshja me BE-në.

“Për disa kohë kam pasur fiksionin se gjithçka do të përfundojë si rasti që ndodhi në Kiev në 2013/2014 kur përfundimisht u nënshkrua Marrëveshja me BE-në. Nuk do të habitesha nga skenari i Yanukovych që edhe Vuçiq të dorëzohet në momentin e fundit kur nuk ka ku të shkojë tjetër. Unë mund të përmend një milion arsye pse është kështu, dhe ndoshta për shkak se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Moskës janë mjaft të forta, në të kaluarën ka pasur marrëdhënie shumë klienteliste midis pushteteve apo pushtetarëve. Nuk e kuptoj sa do t’ia dilnin tani, ndoshta ka shantazh historik.

Do të doja që Kosova të mbyllej si temë, t’i drejtohemi së ardhmes. Për shembull, le të shohim se si irlandezët arritën ta përmbysin situatën e tyre të vështirë historike që kishin me shtetin britanik, unë jetoj këtu kështu që e përmend këtë. Këto janë shembuj shumë pozitivë. Kjo do të jetë e ardhmja e rajonit, do të shohim nëse një ditë do të ketë armëpushim në kohën e Vuçiqit apo një presidenti tjetër”, ka thënë ndër të tjera Stoshiq.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika