Stradner: Kremlini mund ta ndihmojë Vuçiqin me energji

Moska mund t’i sigurojë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, energji të mjaftueshme për ta ndihmuar atë kur ka më së shumti nevojë politike, por njëkohësisht ruan edhe levën e presionit, thotë për REL-in Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington.

Pas bisedës telefonike të Vuçiqit me presidentin rus, Vladimir Putin më 26 shtator, ajo thotë se receta ruse është mjaft e thjeshtë – karota dhe shkopi.

“Nëse pushteti ndryshon, Putini përmes kësaj bisede, lë njëkohësisht derën e hapur për negociata me qeverinë e re”, thotë ajo.

Vuçiqi bisedoi në telefon me Putinin, i cili është i izoluar në Perëndim, teksa vendi i tij është nën sanksione për shkak të pushtimit të Ukrainës, i cili po zgjat prej pesë vjetësh.

Pas bisedës njëorëshe, Vuçiqi shprehu bindjen se aneksi i marrëveshjes mes Moskës dhe Beogradit për furnizimin me gaz do të zgjatet.

“Për Rusinë, energjia është një nga instrumentet kryesore të ndikimit politik, ndërsa marrëveshja energjetike mes Serbisë dhe Rusisë skadon javën e ardhshme”, thekson Stradner për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Marrëveshja afatshkurtër për furnizimin e Serbisë me gaz rus skadon më 30 shtator, ndërsa Serbia importon nga Rusia më shumë se 80 për qind të këtij energjie.

Serbia nuk ka arritur marrëveshje për një kontratë afatgjatë, pasi marrëveshja e mëparshme trevjeçare skadoi në verën e vitit 2025, teksa Moska që atëherë po i zgjat anekset e kontratës në periudha afatshkurtra.

Vuçiqi tha në një postim në Instagram se beson që marrëveshja do të zgjatet që nga e hëna dhe se Serbia do të vazhdojë, siç e vlerësoi ai, të ketë “çmim të mirë dhe të ulët të gazit”.

Ai tha se Serbia paguan rreth 318 euro për një mijë metra kub gaz, ndërsa, sipas tij, çmimi në treg është 868 euro për një mijë metra kub.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje në disa raste Serbisë që të diversifikojë burimet dhe rrugët e furnizimit me gaz natyror, por pavarësisht se Beogradi ka nisur këtë proces, vendi ende varet në masë të madhe nga Rusia.

Vuçiqi njoftoi se me Putinin ka biseduar edhe për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), duke shtuar se këtu “problemi është më i ndërlikuar”.

NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak të aksioneve shumicë ruse, ndërsa licenca e autoriteteve amerikane për funksionimin e kompanisë, derisa vazhdojnë negociatat për shitjen e aksioneve ruse, është rinovuar në baza mujore. Licenca e fundit skadon më 30 shtator.

Negociatat për shitjen e aksioneve ruse mes Gazprom Neftit rus dhe MOL-it hungarez po vazhdojnë prej muajsh dhe mbetet pyetje nëse do të përfundojnë para zgjedhjeve në Serbi.

“Të dyja palët i kanë letrat në tavolinë”

Ivana Stradner nga Fondacioni amerikan për Mbrojtjen e Demokracive thotë se, kur merren parasysh të gjitha, biseda mes Vuçiqit dhe Putinit vështirë se mund të shihet vetëm si një telefonatë protokollare.

Ajo vlerëson se në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë, të dyja palët i kanë letrat e tyre në tavolinë.

“Moska e konsideron Serbinë partnere të rëndësishme që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, në mënyrë që Moska të mund t’u shmanget sanksioneve, ndërsa Beogradit i duhet mbështetja ruse për energjinë”, tha Stradner.

Edhe pse në bisedën e Vuçiqit me Putinin ajo nuk sheh kryesisht një mesazh gjeopolitik, por një bisedë shumë konkrete për energjinë, ajo nuk e përjashton as dimensionin e sigurisë.

“Strukturat ruse dhe serbe të sigurisë dhe inteligjencës kanë pasur kontakte dhe bashkëpunim të zhvilluar prej vitesh. Prandaj, nuk duhet harruar zgjedhjet. Moska ka folur publikisht për përpjekje të supozuara të Perëndimit për të shkaktuar një ‘revolucion me ngjyra’ në Serbi”, shtoi ajo.

Vuçiqi bisedoi me Putinin një ditë para dorëheqjes së paralajmëruar, për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat ai garon për kryeministër të Serbisë.

Zgjedhjet i shpalli në dritë të protestave masive që kanë zgjatur dy vjet, të udhëhequra nga studentët, për shkak të vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës së një ndërtese në Novi Sad.

Zgjedhjet e 25 tetorit do të jenë testi i parë serioz për liderin populist që ka qeverisur në mënyrë të padiskutueshme për një dekadë e gjysmë në Serbi.

E pyetur nëse biseda e Vuçiqit me Putinin do të ndikojë në zgjedhjet në Serbi, Stradner thotë se kur shërbimi rus FSB, qëndron në krah të Vuçiqit dhe mohon përdorimin e armëve akustike, ndërsa protestat studentore i paraqet si “revolucion me ngjyra”, atëherë “miti për këtë miqësi fillon të kriset”.

“Perëndimi po e kupton gjithnjë e më mirë lojën e Vuçiqit”

Edhe pse Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Vuçiqi ka ndjekur një politikë të balancimit mes Perëndimit dhe Lindjes, duke intensifikuar marrëdhëniet me Kinën dhe duke mos hequr dorë nga lidhjet me Rusinë.

Pikërisht për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, së bashku me regresin demokratik në vend dhe mungesën e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia po ngec në integrimin evropian.

Pas bisedës me Putinin, Vuçiqi tha se është “i sigurt” se presidentët e ardhshëm të Serbisë “do të dinë të kujdesen për interesat e Serbisë dhe ruajtjen e këtij lloj ekuilibri dhe të kësaj lloj përgjegjësie ndaj të gjithë aktorëve të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare”.

Duke thënë se e falënderoi Rusinë dhe Putinin për bashkëpunimin gjatë 14 vjetëve të fundit, ai tha se temat e bisedës me Putinin ishin edhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë, lufta në Ukrainë dhe situata në Ballkan.

Duke iu referuar politikës së balancimit të Vuçiqit, Stradner thotë se kur njëra palë nuk jep atë që ai dëshiron, mesazhi është se “ekziston edhe një opsion tjetër”.

“Vuçiqi kërkoi nga Perëndimi para, investime dhe legjitimitet politik, nga Moska energji dhe mbështetje në fushën e sigurisë, ndërsa nga Pekini kapital dhe partneritet politik. Kjo funksionoi përderisa të gjithë ishin të gatshëm të luanin sipas rregullave të tij”, thotë Stradner.

Vuçiqi muajt e fundit është përballur me paralajmërime nga Parlamenti Evropian, disa vende anëtare të BE-së, por edhe nga Kongresi amerikan.

Nga të gjitha këto adresa kanë ardhur paralajmërime për regresin demokratik dhe ndikimin rus.

Ivana Stradner thotë se sot “Perëndimi po e kupton gjithnjë e më mirë lojën e Vuçiqit”, duke shtuar se ai prej vitesh premton afrimin e Serbisë me Perëndimin, “ndërsa Serbia në praktikë po mbetet gjithnjë e më pranë Moskës dhe Pekinit”.

“Rrëfimi për Vuçiqin si ‘shtyllë e stabilitetit’ po i ngjan gjithnjë e më shumë marketingut politik dhe problemi më i madh për Vuçiqin sot është se Perëndimi po dëgjon gjithnjë e më pak atë që ai thotë dhe po sheh gjithnjë e më shumë atë që ai bën”, vlerëson Stradner.

Gjatë një debati në Kongres në mes të shtatorit, u shpreh shqetësim dypartiak për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, ndërsa u shtruan edhe pyetje nëse në kuadër të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi është diskutuar për “ndikimin dashakeq” të Moskës dhe Pekinit.

SHBA-ja në mes të vitit nisi Dialogun Strategjik me Serbinë, i cili fokusohet në energjetikë, ndërsa në Kongres po dëgjohen zëra se ky dialog duhet të kushtëzohet për shkak të lidhjeve me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe regresit demokratik.

Gjithashtu, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi më 23 shtator se Serbia është e përfshirë në “çështje potencialisht shpërthyese”, pa saktësuar se për cilat çështje konkrete bëhet fjalë.

“Në Uashington po rritet frustrimi, sepse Vuçiqi shumë herë ka premtuar një gjë, ndërsa ka bërë diçka tjetër. Dialogu Strategjik nuk mund të jetë përgjithmonë zëvendësim për rezultate strategjike”, thotë ajo.

Stradner shton se Uashingtoni nuk i ka harruar premtimet e vitit 2020 nga Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës, “të cilat nuk janë përmbushur, nga diversifikimi i energjisë deri te shkëputja nga Kina”.

Aleksandar Vuçiqi në vitet e fundit, herë nga pozita e kryeministrit e herë nga ajo e presidentit, ka përsëritur se rruga strategjike e Serbisë është Bashkimi Evropian.

Por, ai gjithashtu ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, si dhe se dëshiron marrëdhënie sa më të mira me Shtetet e Bashkuara.

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika