Studentët e mjekësisë mungojnë në ligjërata e ushtrime, kërkojnë reformim të qasjes

Studentët e mjekësisë, nuk kanë shumë interesim për ligjërata e ushtrime. Një shqetësim të tillë e ka ngritur një prej profesoreshave të Fakultetit të Mjekësisë. Por nga Këshilli Studentor thonë që nuk bëhet fjalë për bojkot ndaj një profesoreshe, pro kërkojnë reformim të qasjes në tërësi.

Ndonjëherë janë pesë.

Por ndonjëherë, nuk është as edhe një student.

Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi Pupovci, tash e disa herë po e ngrit si shqetësim në rrjete sociale mungesën e studentëve në ligjerata e ushtrime.

E mungesat, sipas saj, janë duke u shpeshtuar.

“tash e gati gjashtë vite po vrehet tendenca e studentëve për mospjesëmarrje në ligjërata bile bile edhe në ushtrime që nuk ka ndodhë më herët e arsyeja mendoj se është e drejta e studentëve për kalim nga viti në vit pa përfundimin e provimeve paraprake”, ka thënë Hatixhe Latifi Pupovci, profesorëshë në Fakultetin e Mjekësisë.

Problematikën, Latifi tha ta këtë adresuar edhe në dekanat.

“Ata janë treguar të gatshëm për ta ndryshuar, dekani ka dal me një thirrje publike duke i ftuar studentët të marrin pjesë në ligjërata por të njëjtën kohë ata po vazhdojnë me të njëjtën qasje”, ka thënë Hatixhe Latifi Pupovci, profesorëshë në Fakultetin e Mjekësisë.

Nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë, në një përgjigje me shkrim thanë se nuk ka ndonjë bojkot që lidhet me profesoreshën Pupovci, por ngritën një kërkesë për avancim të formave të ligjërimit.

Sa i përket çështjes së vijueshmërisë në ligjërata, kjo mbetet një sfidë e kahershme në Fakultetin e Mjekësisë, por nuk mund të reduktohet si përgjegjësi e studentëve. Kemi theksuar vazhdimisht se është e domosdoshme një reformim i qasjes didaktike, duke kaluar nga format tradicionale pasive në metoda më bashkëkohore dhe efektive, si mësimi i bazuar në raste (case-based learning), diskutimet interaktive dhe përfshirja më e theksuar e komponentës praktike.”- Besfort Racaj, Kryetar i Këshillit Studentor

Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, në një përgjigje për televizionin gjithashtu mohuan se bëhet fjalë për ndonjë bojkot ndaj proferoreshës në fjalë, por thanë se kanë mekanizma për monitorim të vijueshmërisë e të njëjtit po i avancojnë.

Mungesat mbeten një çështje multifaktoriale, e ndërlidhur me natyrën e studimeve, ngarkesën akademike dhe angazhimet praktike të studentëve. Çdo shqetësim trajtohet në mënyrë institucionale dhe nuk ka një proces formal që dëshmon për një problematikë të strukturuar në këtë drejtim.” – Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë

Vijueshmëria, ka qenë një problematikë që e ka shoqëruar edhe në të kaluarën këtë fakultet, që edhe ashtu nuk ka numër të madh të studentëve.

 

Të fundit nga rubrika