Studentët që filluan më 29 dhjetor një bllokadë 24-orëshe në Beograd duke bllokuar rrugët Birçaninova dhe Kneza Millosha po vazhdojnë edhe sot protestën pas akuzave për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Përveç studentëve, në protestë u bashkuan edhe qytetarë të shumtë, raporton Danas.

Ata po kërkojnë nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.

Nën sloganin “Nuk pajtohemi”, studentët njoftuan se pastaj do të dalin në rrugët e Kralja Milanos dhe Knez Milloshit për në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo protestë u paralajmërua nga përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë.

Kjo është vetëm një nga protestat e studentëve. E fundit u mbajt më 27 dhjetor, përballë Fakultetit Filozofik.

Atë ditë ata kanë përsëritur zyrtarisht kërkesën e tyre për hapjen e listës zgjedhore për të përcaktuar nëse ka parregullsi në të.

Studentët iu bashkuan protestave që kanë vazhduar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të thirrura nga koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës”, duke akuzuar ndër të tjera Partinë Progresive Serbe (SNS), që është partia në pushtet, për vjedhje në zgjedhje duke regjistruar në adresat e Beogradit votuesit e saj nga Serbia dhe jashtë vendit.

Dyshime për parregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.

Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje gjithashtu autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.