Studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut takojnë kongresmenin amerikan Keith Self

Lëvizja studentore ka zhvilluar sot një takim me kongresmenin amerikan Keith Self. Njoftimi është bërë i ditur nga Mevlan Ademi, kreu i Lëvizjes Studentore në Shkup, në rrejtin e tij social Facebook.

Krah shkrimit të takimit është publikuar edhe një fotografi ku shihet Keith Self me studentët. Ndërkohë bëhet e ditur se janë diskutuar çështje që lidhen me të drejtat kushtetuese dhe ligjore të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ku, siç është bërë e ditur, ata kërkojnë të drejtën që provimin e jurisprudencës ta bëjnë në gjuhën shqipe.

“Lëvizja jonë studentore sot pati nderin të takohet me kongresmenin amerikanë, Keith Self. Gjatë takimit, patëm mundësinë t’i paraqesim drejtpërdrejt shqetësimet tona lidhur me përpjekjet për cenimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore, të fituara me shumë sakrificë përgjatë këtyre 20 viteve përmes Marrëveshjes së Ohrit.

Theksuam qartë se studentët nuk do të pranojnë kthim prapa në çështje që prekin barazinë, dinjitetin, të drejtat dhe identitetin tonë kombëtar.

Çdo përpjekje për të zhbërë frymën e bashkëjetesës dhe barazisë do të krijonte pasoja serioze për vendin dhe të ardhmen tonë të përbashkët euro-atlantike”, ka shkruar ai.

Keith Self është kongresmen republikan amerikan dhe kryetar i Nënkomisionit për Evropë në kuadër të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Ai është ndër zërat më aktivë në Kongresin amerikan për çështjet e Ballkanit dhe të shqiptarëve në rajon.

Self ka mbështetur fuqishëm integrimin euroatlantik të Kosovës, duke qenë bashkëpropozues i një rezolute në Kongresin amerikan që kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-të. Po ashtu, ai ka kërkuar nga Greqia që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se njohja do të kontribuonte në stabilitetin rajonal dhe forcimin e arkitekturës euroatlantike në Ballkan.

Përveç Kosovës, ai ka ngritur vazhdimisht çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe ka ndjekur zhvillimet politike që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave etnike, gjuhësore dhe politike të tyre.

Të fundit nga rubrika