“Suedia duket se anëtarësimin në NATO ‘nuk e ka përparësi'”

Suedia nuk ka bërë asgjë për të rritur besimin se e meriton anëtarësimin në NATO, tha të enjten një këshilltar i kryeministrit të Hungarisë

Suedia nuk ka bërë asgjë për të rritur besimin se e meriton anëtarësimin në NATO dhe ka lënë të kuptohet se ky anëtarësim nuk është përparësi për vendin, tha të enjten një këshilltar i kryeministrit të Hungarisë.

Suedia bëri kërkesën për anëtarësim në aleancë në maj 2022 pasi filloi agresioni rus në Ukrainë, por procesi i anëtarësimit është penguar nga Turqia dhe Hungaria.

Të gjithë anëtarët e NATO-s duhet të miratojnë kërkesën e vendeve të reja që duan të hyjnë në aleancë.

Ratifikimi për Suedinë ka mbetur i bllokuar në parlamentin hungarez për më shumë se një vit, pasi nacionalistët e partisë në pushtet të kryeministrit Viktor Orban thonë se nuk ka asnjë kërcënim ndaj sigurisë së Suedisë dhe kanë shprehur pakënaqësinë ndaj akuzave të Suedisë se në Hungari po gërryhet demokracia, të cilat Budapesti i ka cilësuar të panevojshme.

Suedia “nuk po ndërmerr asnjë hap për të forcuar besimin që të kemi marrëdhënie prej aleatësh dhe miqsh,” tha në një konferencë shtypi Gergely Gulyas, shefi i kabinetit i Orban.

Për këtë arsye, shtoi ai “arrij në përfundimin se nuk është një përparësi për Suedinë që të anëtarësohet menjëherë në NATO”.

Ministria e Jashtme suedeze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Gulyas sugjeroi që ministri i Jashtëm ose kryeministri suedez “të kontaktojnë dhe të pyesin se çfarë shqetësimesh ka parlamenti hungarez” në lidhje me pranimin e Suedisë në NATO.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, ai tha se Hungaria nuk do që të jetë vendi i fundit që ratifikon anëtarësimin e Suedisë në NATO, por se “ndoshta nuk e realizojmë dot këtë pa ndihmën e Suedisë. Pse duhet të jetë e rëndësishme për ne, nëse nuk është e rëndësishme për Suedinë?”

Qeveria e kryeministrit Orban, e cila ka mbajtur lidhje të afërta me Moskën, pavarësisht agresionit rus ndaj Ukrainës, ka premtuar vazhdimisht se nuk do të jetë e fundit që do të ratifikojë kërkesën e vendit nordik.

Parlamenti i Hungarisë, aktualisht në pushimet e dimrit, do të rifillojë punën rreth mesit të shkurtit.

Parlamenti turk mund të debatojë kërkesën e anëtarësimit të Suedisë në NATO në javët e ardhshme, tha javën e kaluar kryetari i grupit parlamentar i Partisë AK në pushtet./VOA

Shija e redaktorit

Përparësitë e Kosovës si shtet i asocuar në Asamblenë Parlamentare...

Një hap afër anëtarësimit në NATO, kështu së paku po konsiderohet nga politikanët të jetë afruar Kosova, tash që e morri statusin si vend...

Osmani në takim me kryesuesit e KGJK-së dhe KPK-së: Urgjent...

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ajo ka pritur në takime...

Dita e Presidentit, Osmani me familjen e saj e shënon...

24 maji është Dita e Presidentit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo ditë është vendosur nga presidenti historik, Ibrahim Rugova. Osmani ka thënë...

Të fundit nga rubrika