Një sulm ajror masiv rus ka goditur kryeqytetin ukrainas, Kiev, gjatë natës, duke lënë të paktën dy persona të vdekur dhe 16 të plagosur, ka konfirmuar presidenti Volodymyr Zelensky.

Sipas tij, sulmi përfshinte 18 raketa dhe rreth 400 dronë, me shumicën e tyre të drejtuara drejt Kievit. Autoritetet lokale thanë se mbetjet e dronëve ranë mbi çatinë e një ndërtese banimi në lagjen qendrore Shevçenkivskyi, ndërsa zjarret shpërthyen në disa pjesë të qytetit.

Banorët u zgjuan për më shumë se tre orë gjatë natës, mes alarmit të sulmeve ajrore, shpërthimeve dhe ndërhyrjes së mbrojtjes ajrore. Pamje të pa verifikuara ende nga BBC-ja tregojnë shpërthime në qiellin e natës.

Ky ishte një tjetër sulm i rëndë pas atij të së martës mbrëma, të cilin Ukraina e quajti si sulmi ajror më i madh ndonjëherë – me 728 dronë dhe 13 raketa që goditën qytete në të gjithë vendin.

Policia ukrainase raportoi se gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes, dronët rusë goditën tetë rajone të ndryshme në Kiev.

“Ndërtesa banimi, automjete, depo, zyra dhe objekte të tjera janë përfshirë nga zjarri,” tha kreu i administratës së qytetit, Tymur Tkachenko, në një postim në Telegram.

Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, konfirmoi se një grua 68-vjeçare dhe një polic 22-vjeçar, i cili ndodhej në një stacion metroje, humbën jetën.

Në lagjen Podilsky të Kievit, një qendër shëndetësore primare është “pothuajse plotësisht e shkatërruar,” deklaroi kryetari i qytetit, Vitaliy Klitschko.

Banorëve iu kërkua të qëndrojnë në strehimore deri në përfundimin e alarmit ajror, dhe të mbajnë dritaret mbyllur kur të kthehen në banesat e tyre për shkak të sasisë së madhe të tymit në ajër.

Nuk është e qartë nëse ka viktima edhe jashtë Kievit, ndërsa Rusia nuk ka bërë asnjë koment lidhur me sulmet e fundit.

Shërbimi emergjent i Ukrainës (DSNS) raportoi të mërkurën në mbrëmje se tre persona u vranë nga një sulm ajror rus në qytetin Kostiantynivka, afër vijës së frontit në lindje të vendit.

Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar dërgimin e disa armëve për Ukrainën, sipas agjencisë Reuters, pas një pezullimi të përkohshëm të ndihmave për mbrojtjen ajrore.

Presidenti Zelensky tha se Rusia po rrit ndjeshëm intensitetin e sulmeve dhe u bëri thirrje partnerëve të reagojnë më shpejt.

“Rusia po e shton terrorin. Duhet të veprohet më shpejt me sanksione dhe presion që ajo të ndjejë pasojat. Partnerët tanë duhet të investojnë më shumë në prodhimin e armëve dhe teknologjisë,” theksoi ai, duke shtuar se do të diskutojë sot me aleatët për financim shtesë në prodhimin e dronëve mbrojtës dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.

Perspektiva për një zgjidhje diplomatike po zbehet. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se diplomacia është “ezauruar”, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shprehu qëndrime të ngjashme më herët gjatë javës.

Presidenti amerikan Donald Trump gjithashtu duket më i ashpër ndaj Putinit:
“Na hedh shumë mashtrime Putin, për të qenë i sinqertë,” tha ai për gazetarët. “Është gjithmonë i sjellshëm, por nuk ka domethënie reale.”

Peskov reagoi duke thënë: “Jemi mjaft të qetë. Kjo është mënyra e të folurit të Trump, me fraza të ashpra.”

Megjithëse kanë qenë në kontakt të rregullt, deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat konkret drejt një armëpushimi – një objektiv që Trump kishte premtuar se do ta arrinte “brenda një dite”.

Trump ka kërcënuar me sanksione ndaj Rusisë që nga fillimi i mandatit në janar, por ende nuk ka zbatuar asnjë. Ndërkohë, një projektligj dypartiak në Kongres parashikon ndëshkime për shtete si Kina dhe India që vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus.

Në Romë pritet të nisë sot një konferencë dyditore për rimëkëmbjen e Ukrainës, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 77 vende. Mbrojtja e hapësirës ajrore të Ukrainës pritet të jetë në krye të agjendës.

Më vonë gjatë ditës, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të takohet me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, në margjinat e një samiti në Malajzi.

Putini nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Prej atëherë, lufta ka hyrë në një fazë të re, ku sulmet ajrore janë gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese./BBC