Sulm racist, i caktohet paraburgim të dyshuarit për therjen me thikë në Ferizaj
Fadil Islami është rikthyer në gjykatore, në cilësinë e të dyshuarit, për tu përballur me vepra të tjera penale. Këtë të mërkurë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u mbajt seanca dëgjimore, për caktimin e masës së sigurisë, pas kërkesës së prokurorisë që i dyshuari për sulm ndaj katër personave të mbahet në paraburgim. Si hyri […]
Fadil Islami është rikthyer në gjykatore, në cilësinë e të dyshuarit, për tu përballur me vepra të tjera penale.
Këtë të mërkurë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u mbajt seanca dëgjimore, për caktimin e masës së sigurisë, pas kërkesës së prokurorisë që i dyshuari për sulm ndaj katër personave të mbahet në paraburgim.
Si hyri nuk u pa, por nga gjykata u largua kokulur.
Motivet që e shtyn të sulmojë me thikë 4 persona, i tregoi Prokuroria e Ferizajt, duke thënë se i njëjti dyshohet për vrasje të rëndë në tentativë.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 Nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha“ në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar t’i privoj nga jeta dy të mitura- pjesëtare të komuniteteve RAE, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarat kanë qenë duke ecur rrugës, i pandehuri që ishte duke ecur në këmbë gjithashtu në drejtim të kundërt, pasi që i kalon të dëmtuara kthehet mbrapa dhe me hapa të shpejtuar ofrohet nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me mbishkrim “Berlinger House” me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore. Po ashtu, sipas Prokurororisë, i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin N.M., pjesëtarë i komuniteteve RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke hyrë në kafiterinë “Verona” , i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë , të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore, ndërsa, me datë të njëjtë rreth orës 15:53 minuta , në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin E.A.,- pjesëtarë i komuniteteve RAE, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke ecur në këmbë , i pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur nga mbrapa në pjesën e shpatullave, të cilit i shkakton lëndime të rënda trupore, me këtë do të kryente veprën penale në vazhdim “vrasje e rëndë në tentativë”nga nen 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.10 lidhur me nen 28 të Kodit Penal të Republikës sëKosovës (KPRK).” –PROKURORIA THEMELORE NË FERIZAJ
Ndërkohë që avokati i të dyshuarit, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Arbër Halili nuk pranoi të flas me arsyetimin se të dëmtuarat janë të mitura, dhe nuk mund të japë asnjë detaj për rastin.
Për këtë rast pati edhe reagime të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, duke thënë se ky nuk është sulmi i parë me të cilat përballen komunitetet pakicë në Kosovë.
“Kjo nuk është ngjarje e izoluar, është simptomë e një sëmundjeje të thellë shoqërore”, ka thënë Isak Seknderi nga organizata “Voice of Roma, Ashkali and Eqyptians”.

“Ky nuk është krimi i parë i urrejtjes në shoqërinë tonë, që synon komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Për një vend kaq të vogël, jemi të mbushur me shumë incidente të motivuara nga paragjykimi etnik dhe intoleranca e thellë. Historia ka treguar se Romët dhe komunitetet e tjera janë mbajtur të margjinalizuar, të mbajtur poshtë në kushte degraduese për të ruajtur sistemet e shfrytëzimit social. Eshtë e pabesueshme qe kjo vazhdon të shfaqet edhe sot – kur komunitetet përdoren si shpërthyes të mllefit dhe urrejtjes. Ne një shoqëri demokratike, moderne si Kosova, jo çdo qytetar ndihet i sigurt, i vlerësuar dhe i respektuar. Ky akt brutal është një thirrje zgjimi. Ai ngre pyetje urgjente mbi sigurinë, bashkëjetesën dhe dinjitetin e të gjithë anëtarëve të këtij shteti multietnik. Autoritetet tona duhet të reagojnë me urgjencë për të adresuar rrënjët e kësaj dhune. Kjo nuk është një ngjarje e izoluar; është një simptomë e një sëmundjeje të thellë shoqërore. Sa më gjatë të tolerojmë këtë urrejtje, aq më thellë rrëshqasim në një vend të errët ku paragjykimi lulezon dhe dhuna bëhet normale.” – Isak Skenderi – “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”
Ndërkohë, personi i dyshuar siç u raportua ka të kaluar kriminale, i njëjti ishte liruar nga burgu më 25 tetor të këtij viti, pasi ishte në vuajtje të dënimit për veprën penale vrasje e rëndë, kanosje e lëndim të lehtë trupor.
Nga Shërbimi Korrekutues i Kosovës në një përgjigje për Dukagjinin, kanë thënë se njëjti ishte liruar pas përfundimit të dënimit të rregullt, ndërkaq edhe brenda burgut kishte pasur 17 shkelje disiplinore.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se F.I ka qenë në mbajtje të dënimit nga data 25.12.2006 deri më datën 25.10.2023 në Qendrën Korrektuese të Dubravës për veprën penale të vrasjes së rëndë, dhe i njëjti nga data 25.10.2023 deri më datën 25.10.2024 ka vazhduar mbajtjen e dënimit prej një viti për Veprën Penale Kanosje. F.I lirohet pas përfundimit te dënimit te rregullt. Ky person gjate mbajtjes se dënimit përveç qe ka pasur 17 shkelje disiplinore, i njëjti është dënuar edhe për vepër penale lëndim i lehte trupor gjate mbajtjes se dënimit. “ – SHËRBIMI KORREKTUES I KOSOVËS















