Sulm rus me dron në Zaporizhzhia lë tre të vdekur dhe tre të plagosur
Një sulm rus me dron ka vrarë tre persona dhe ka plagosur edhe tre të tjerë gjatë natës në rajonin juglindor të Ukrainës, Zaporizhzhia, bënë të ditur të enjten guvernatori rajonal dhe shërbimet emergjente. Sipas Shërbimit të Emergjencave të Ukrainës, në sulm humbën jetën dy gra të moshës 26 dhe 50 vjeç, si dhe një […]
Një sulm rus me dron ka vrarë tre persona dhe ka plagosur edhe tre të tjerë gjatë natës në rajonin juglindor të Ukrainës, Zaporizhzhia, bënë të ditur të enjten guvernatori rajonal dhe shërbimet emergjente.
Sipas Shërbimit të Emergjencave të Ukrainës, në sulm humbën jetën dy gra të moshës 26 dhe 50 vjeç, si dhe një burrë 62-vjeçar.
Një objekt privat u shkatërrua plotësisht, ndërsa disa ndërtesa të tjera pësuan dëme,shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Shërbimet emergjente publikuan fotografi në aplikacionin Telegram që tregojnë zjarrfikësit duke luftuar me flakë të mëdha dhe një ndërtesë të rrafshuar.
Guvernatori i rajonit, Ivan Fedorov, tha se gjatë 24 orëve të fundit Rusia ka kryer gjithsej 841 sulme në 34 vendbanime të Zaporizhzhias.
Forcat ruse kontrollojnë zona të mëdha të këtij rajoni dhe kohët e fundit kanë shënuar përparime. Zaporizhzhia është një nga katër rajonet ukrainase që Rusia pretendon se i ka aneksuar që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia ka lëshuar 105 dronë gjatë natës, prej të cilëve 84 janë rrëzuar.
Ndërkohë, pavarësisht bisedimeve për paqe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, të mbajtura javën e kaluar në Abu Dabi, Rusia ka vazhduar sulmet ndaj qyteteve ukrainase. Takime të tjera pritet të zhvillohen të dielën. Të dyja palët kanë goditur gjithashtu infrastrukturën energjetike të njëra-tjetrës.
Dronët rusë goditën sërish qytetin port jugor të Odesës, duke shkaktuar një zjarr të madh në një objekt industrial, bëri të ditur guvernatori Oleh Kiper.
Ai tha se magazina, ndërtesa prodhuese dhe kamionë u dëmtuan nga sulmi, ndërsa nuk raportohet për të lënduar. Megjithatë, numri i viktimave nga një sulm i natës së së martës në Odesa është rritur në katër, pasi një i moshuar ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Odesa dhe rajoni përreth kanë qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve ruse muajt e fundit, në kuadër të përpjekjeve të Moskës për të rritur presionin ndaj korridoreve detare të eksportit të Ukrainës.
Autoritetet ruse nuk kanë komentuar lidhur me këto sulme. Si Moska, ashtu edhe Kievi mohojnë se po shënjestrojnë civilë në luftën që po hyn në vitin e saj të katërt.















