Sulmet e Kurtit ndaj Prokurorisë së Shtetit: Fushatë politike apo prirje autokratike?
Kryeministri i katër vjetëve të fundit, Albin Kurti, ka intensifikuar kritikat e sulmet ndaj Prokurorisë së Shtetit, duke e cilësuar atë si të kapur dhe të paaftë për të mbështetur luftën kundër krimit dhe strukturave paralele serbe. Në një tubim zgjedhor, Kurti theksoi se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, do […]
Kryeministri i katër vjetëve të fundit, Albin Kurti, ka intensifikuar kritikat e sulmet ndaj Prokurorisë së Shtetit, duke e cilësuar atë si të kapur dhe të paaftë për të mbështetur luftën kundër krimit dhe strukturave paralele serbe.
Në një tubim zgjedhor, Kurti theksoi se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, do të vendoset një prokurori e re, patriotike dhe profesionale.
“Nuk ka nevojë Kosova për këtë prokurori të kapur. Pas fitores sonë, rendi i vjen një prokurorie të re që e mbron shtetin tonë”, ka thënë Kurti në njërin nga tubimet e shumta, që s’pushoi duke sulmuar prokurorët e Prokurorinë e Shtetit.
Në të njëjtën linjë me Kurtin por duke përmendur emra ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë një tubimi, akuzoi prokurorin Milot Krasniqi për mbylljen e rasteve që lidhen me keqpërdorime të mëdha financiare dhe pronës publike – teksa vazhdoi kritikën ndaj gjithë sistemit prokurorial.
Kritikat e Kurtit dhe Haxhiut kanë ngjallur reagime nga njohës të drejtësisë dhe nga shoqëria civile.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi paralajmëroi se këto sulme ndaj Prokurorisë cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mund të interpretohen si tendencë për ta politizuar atë.
“Ne e kuptojmë që është fushata dhe partitë politike kanë gjuhë më të ashpër me oponentët politik, në raport me garën e 9 shkurtit. Po besoj që kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu nëse dinë Kushtetutën e Kosovës, ndarjen pushteteve. Nuk do të duhej ta përdornin prokurorinë, gjyqësorin në lutën e tyre politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ne e kuptojmë se hallka më e dobët e sistemit të drejtësisë pa pik dyshimi është sistemi prokurorial… sidoqoftë kryeministri Kurti, partia në pushtet mund të bëjnë politike në shumë fusha, por në pjesën ku preket themelet e shtetit siç është sistemi i drejtësisë, po besoj që do të duhej të ishin shumë të kujdesshëm”, ka thënë Miftaraj në FIVE të Dukagjinit.
Në mënyrë të ngjashme, avokati Meshari Selimaj paralajmëroi për rrezikun e kapjes së sistemit të drejtësisë përmes ndërhyrjeve të tilla.
Ai theksoi se këto veprime janë të dëmshme për një demokraci të brishtë si ajo e Kosovës.
“Targetimi me emër i prokurori normal që e cenon shumë besim në drejtësi dhe është sulm ndaj sistemit të drejtësisë. Dhe kjo pasqyrohet përmes një veprimi të tillë të kryeministrit. Por, sidoqoftë në vendet e tilla, siç është Kosova me një demokraci të brishtë ekzistojnë këto lloj situatash dhe veprimesh. Ku pushtet në vazhdimësi i kanë sulmuar dhe i sulmojnë pushtetin gjyqësor, përkatësisht sistemin e drejtësisë, e cila përbehet nga sistemi prokruroial dhe sistemi gjyqësor. Duke qenë se kapjen fillestare të një sistemi represiv e bëjnë përmes Policisë, siç është Qeveria, ministria, drejtori i policisë. Më pastaj kërkesa rriten me kalimin e kohës duke qenë se polici hetues, shef të hetimeve e ka prokurorin e Shtetit.
Dhe atëherë lind nevoja të arrihet deri të Prokurori i Shtetit në mënyrë që më tutje të vazhdohet të shtrohet gama e gjerë, që sa më shumë pushtet të ketë një pushtet politik. Dhe këto janë të thënë shumë të dëmshme për sistemin, kur potencohet edhe persona me emra”, ka thënë Selimaj në FIVE.
Edhe avokati i njohur Tomë Gashi ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit, duke thënë se ideja se një prokuror mund të mos jetë patriot është e pamundur, pasi detyra e tyre si përfaqësues të shtetit është mbrojtja e interesit të tij.
Sipas Gashit, komentet mbi patriotizmin janë kryesisht deklarata politike, të cilat kanë tendencë të humbasin rëndësinë pas një kohe të shkurtër.
“Unë mendoj që prokuror jo patriot nuk kemi dhe nuk duhet të kemi. Sepse nuk është e mundshme që dikush të jetë prokurori shtetit dhe të jetë jo patriot. Mendoj që të gjithë prokurorët me gjithë epitetin që janë prokuror të shtetit ata primare e kanë me mbrojt interesin e shtetit… me siguri nuk ka kurrë prokuror të mirë që s’mund të ketë edhe më të mirë. Besoj që shumica prej tyre janë okej, në kuptimin që, punët e tyre i kryejnë mirë dhe aq sa mundën…
Unë tash s’po e deshifroj trurin as të Albinit e as të Albulenës sepse po e them vetëm në mënyrë figurative, besoj që këto janë veç deklarata politike. Që së paku deri më 9 shkurt mund edhe të përsëritet, me 10 shkurt do të harrohen dhe askush më nuk do t’i thotë këto”, ka thënë Gashi në FIVE të Dukagjinit.















