Tre persona janë vrarë në sulmet ndaj aeroporteve në Arabinë Saudite, kanë bërë të ditur autoritetet e aviacionit civil të këtij shteti, ndërsa luftimet në Jemen mes rebelëve Huthi, të rreshtuar me Iranin, dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite janë përshkallëzuar.
Një person është vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur në një sulm në Aeroportin Ndërkombëtar “King Khalid” në kryeqytetin Riad. Ndërkohë, dy persona janë vrarë dhe 28 të tjerë janë plagosur në një sulm ndaj objekteve të aeroportit në Abha.
Autoritetet saudite thanë se njëri prej sulmeve ndodhi të mërkurën, ndërsa tjetri të martën, por nuk specifikuan se cili sulm i përket secilës ditë.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili po lufton kundër Huthive, ka paralajmëruar hakmarrje, duke deklaruar se sulmet “nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën vonë, koalicioni tha se kishte goditur më shumë se 80 objekte ushtarake të Huthive në provincat Saada, Hodeidah, Jawf dhe Marib.
Sulmet ndaj aeroporteve saudite ishin pjesë e një serie sulmesh që të mërkurën shënjestruan infrastrukturën e aviacionit.
Më herët gjatë ditës, Huthit sulmuan me raketa balistike dhe dronë të mbushur me eksplozivë aeroportin ndërkombëtar të Adenit, bëri të ditur Ministria e Transportit e Jemenit.
Sipas ministrisë, një raketë ra pranë pistës vetëm disa minuta para se një fluturim nga Kajroja të ulej në aeroport. Aeroporti i Adenit është pika kryesore ndërkombëtare e hyrjes për pjesët e Jemenit që nuk kontrollohen nga Huthit.
Luftimet në Jemen ditët e fundit janë përqendruar në zonat përreth ngushticës Bab el-Mandeb, një rrugë e rëndësishme detare që është bërë edhe më strategjike për eksportet e energjisë, pasi konflikti mes SHBA-së dhe Iranit ka kufizuar tregtinë përmes ngushticës së Hormuzit.
Këtë javë, forcat qeveritare jemenase, me mbështetjen ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, nisën një kundërofensivë për të rimarrë territoret strategjike pranë ngushticës dhe rreth qytetit Mocha, të cilat Huthit i kishin marrë nën kontroll në shtator. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ofensiva do të jetë e qëndrueshme.