Sulmet ruse ndaj civilëve në Ukrainë mund të përbëjnë krime lufte

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara akuzuan autoritetet ruse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ndaj civilëve ukrainas, të cilat në shumë raste mund të përbëjnë krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit

Kryetari Erik Mose (majtas) përkrah anëtarëve të komisionit Pablo de Greiff (qendër) and Jasminka Dzumhur (djathtas). Foto: AFP

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kanë akuzuar autoritetet ruse për një seri shkeljesh të rënda dhe të gjera të të drejtave të njeriut ndaj civilëve ukrainas, të cilat në shumë raste mund të përbëjnë krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit.

Në raportin e parë gjithëpërfshirës për situatën në Ukrainë, Komisioni Ndërkombëtar për Hetimet për Ukrainën, del në përfundim se “autoritetet ruse kanë kryer shkelje të shumta të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, krahas një game të gjerë krime lufte”.

Krimet e luftës përfshijnë sulme ndaj civilëve dhe infrastrukturës të lidhur me energjinë, vrasjet me dashje, torturat dhe trajtimin çnjerëzor, mbajtjen e paligjshme, përdhunimin dhe transferimin e paligjshëm, si dhe deportimin e fëmijëve nga Ukraina drejt Federatës Ruse.

“Konflikti në Ukrainë ka patur efekte shkatërrimtare në nivele të ndryshme”, ka thënë Erik Mose, kryetar i komisionit.

“Humbjet njerëzore dhe mospërfillja e përgjithshme për jetët e civilëve janë shokuese”.

“Numri i personave të zhvendosur apo atyre që kërkojnë azil jashtë vendit është më i larti në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare raportoi se mbi 5.4 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit dhe mbi 8.1 milionë ukrainas janë larguar si refugjatë drejt vendeve fqinje evropiane.

Zoti Mose tha se shkatërrimi i infrastrukturës thelbësore – shkollat, klinikat shëndetësore, godinat e banimit dhe objekte të tjera – ka patur ndikim të pamatur te jetët e njerëzve.

“Efektet e agresionit te njerëzit dhe te vendi nuk do të tejkalohen pa përpjekje të mëdha dhe përkushtim”, tha ai.

Gjatë vitit të kaluar, komisioni shkoi në Ukrainë tetë herë, vizitoi 56 vendndodhje dhe intervistoi gati 600 gra dhe burra.

“Ndërkohë që komisioni mundi të zhvillojë një dialog me autoritetet e Ukrainës dhe mori përgjigje për pyetjet e tij, ndjen keqardhje që nuk mundi të zhvillojë një dialog të tillë me Federatën Ruse”, tha zoti Mose.

Ndër gjetjet e tij, komisioni ka mbledhur evidencë të përdorimit të armëve eksplozive nga forcat e armatosura ruse, në zona të populluara “me një mospërfillje të hapur për dëmet ndaj civilëve dhe vuajtjeve”.

Raporti thotë se sulmet janë bërë pa dallim dhe pa proporcionalitet, “në shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar”.

Sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, këto sulme kanë shkaktuar 90.3% të viktimave në radhët e civilëve gjatë këtij konflikti. Që nga fillimi i luftës, OKB-ja ka regjistruar të paktën 8 mijë të vdekur dhe gati 13,300 të plagosur, megjithëse mendon se “shifra reale është shumë më e lartë”.

Komisioni ka mbledhur evidencë që tregon një model të gjithëpranishëm ekzekutimesh masive, evidencë për të cilën komisioneri Pablo de Greiff tha se “tregon që autoritetet ruse kanë bërë vrasje të paligjshme civilësh në zonat që morën nën kontroll… të cilat janë shkelje e së drejtës për jetën dhe në disa raste janë krime lufte”.

Komisioni ka dokumentuar raste të shumta përdhunimi dhe dhune gjinore ndaj grave, burrave dhe vajzave, duke filluar nga moshat 4 vjeçare dhe deri në 82 vjeçare, të kryera nga autoritetet ruse “ndërsa bënin vizita shtëpi më shtëpi në vendet nën kontrollin e tyre, si dhe gjatë mbajtjes së paligjshme të njerëzve”.

Anëtarja e komisionit Jasminka Dzumhur tha se kanë hetuar situatën e të transferuarve me forcë dhe të fëmijëve të deportuar nga Ukraina drejt Federatës Ruse.

“Komisioni dokumentoi se zyrtarët rusë kanë marrë masa ligjore dhe politike për deportimin e fëmijëve ukrainas drejt Federatës Ruse”.

“Kjo përfshin masa për shtetësinë dhe vendosjen në familje të tjera, të cilat kanë pasoja të thella për identitetin e fëmijës”, tha ajo. “Masa të tilla shkelin të drejtën e fëmijës për të ruajtur identitetin, përfshirë kombësinë, emrin dhe marrëdhëniet familjare, pa ndërhyrje të paligjshme, siç pranohet nga ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut… dhe që mund të përbëjnë krim lufte”.

Qeveria ukrainase raporton se 16,221 fëmijë janë deportuar për në Rusi. Komisioni tha se nuk pati mundësinë t’i vërtetonte këto shifra.

Komisioni konstatoi se forcat e armatosura ukrainase shkelën ligjin humanitar ndërkombëtar në një numër të kufizuar rastesh. Raporti thotë se ata përdorën municione thërrmuese, që ndalohen nga ligji ndërkombëtar dhe se forcat ukrainase në dy raste kanë torturuar dhe kanë abuzuar me robërit rusë të luftës, gjë që mund të përbëjë krime lufte.

Komisioni ka hartuar një listë individësh të identifikuar si përgjegjës për krimet e luftës. Lista nuk do të bëhet publike, pasi do t’i dorëzohet zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut për t’u përdorur për ngritje akuzash.

Komisioni bën thirrje që të gjitha shkeljet dhe krimet të hetohen dhe përgjegjësit të japin llogari në nivel kombëtar apo ndërkombëtar.

Raporti do t’i paraqitet javën e ardhshme Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. VoA

 

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika