Një sulm rus me raketa dhe dronë la të vdekur të paktën 21 persona në mbarë Ukrainën gjatë natës, përfshirë dy fëmijë, duke shënuar një nga ofensivat më të mëdha të Moskës në muajt e fundit.
Një djalë tetëvjeçar dhe tre gra, që u nxorrën nga rrënojat e një ndërtese banimi, ishin mes 15 personave të vrarë në Dnipro, njoftuan autoritetet rajonale. Ndërkohë, në kryeqytetin Kiev humbën jetën gjashtë persona, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Presidenti ukraians, Volodymyr Zelensky, deklaroi se infrastruktura civile dhe objektet energjetike ishin shënjestër e sulmeve në të gjithë vendin, ndërsa mbi 100 persona mbetën të plagosur.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet ishin një përgjigje ndaj sulmeve të mëparshme ukrainase, duke pretenduar se të gjitha “objektivat e goditjes” ishin arritur.
Kremlini deklaroi të martën se po vazhdonte “sulmet sistematike” që kishte paralajmëruar më herët, pasi akuzoi Kievin për një sulm vdekjeprurës ndaj një konvikti studentor në një zonë të pushtuar në lindje të Ukrainës në fund të majit.
Nga ana tjetër, Kievi tha se kishte goditur një njësi ushtarake ruse.
“Kjo praktikë do të vazhdojë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke pretenduar se objektiv i sulmeve ishte infrastruktura ushtarake ukrainase.
Zelensky kishte paralajmëruar të hënën mbrëma për mundësinë e një “sulmi masiv” dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve t’u kushtonin vëmendje të veçantë alarmeve ajrore.
Të martën në mëngjes, ai tha se Rusia kishte lëshuar 656 dronë sulmues dhe 73 raketa të llojeve të ndryshme gjatë sulmit të natës.
“Na nevojitet urgjentisht ndihma e Shteteve të Bashkuara për furnizimin me raketa për sistemet Patriot”, tha presidenti ukrainas, duke iu referuar sistemeve të mbrojtjes ajrore që përdoren për të shkatërruar raketat ruse.
Që nga rikthimi në pushtet vitin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump ka ndërprerë furnizimet direkte për Ukrainën, ndaj aleatët evropianë të Kievit kanë blerë armë nga SHBA-ja për t’ia dërguar më pas Ukrainës.
“Goditja kryesore ishte ndaj Kievit, ku dhjetëra ndërtesa banimi dhe objekte të tjera krejtësisht civile u dëmtuan sërish”, tha Zelensky.
Mbi 90 persona u plagosën në Kiev dhe Dnipro, ndërsa në Kharkiv, në verilindje të vendit, ku u goditën gjithashtu objektet energjetike dhe infrastruktura civile, u raportuan 10 të plagosur, përfshirë një fëmijë.
Një objekt industrial u sulmua gjithashtu në Zaporizhzhia, në jug të vendit, ndërsa rajone të ndryshme të Ukrainës u vunë në shënjestër të sulmeve, sipas presidentit ukrainas.