Sulmi ndaj KKZ-së në veri, avokati Shkoza: Ka prova të mjaftueshme ndaj të akuzuarve, dënimet parashihen deri në 40 vjet
Në seancën e gjykimit ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq – Llune, Alesander Vllajiq dhe Momir Vakiq, të akuzuar për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në veri të vendit, është dhënë fjala përfundimtare nga palët në proces. Prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, deklaroi se gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar qartë se të akuzuarit […]
Në seancën e gjykimit ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq – Llune, Alesander Vllajiq dhe Momir Vakiq, të akuzuar për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në veri të vendit, është dhënë fjala përfundimtare nga palët në proces.
Prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, deklaroi se gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar qartë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.
Ndërsa, për emisionin FIVE, avokati Armend Shkoza theksoi se bëhet fjalë për një rast të rëndë që ngarkon të akuzuarit për kryerje të një vepre terroriste – një vepër që parashihen të dënohet deri në 40 vjet burg.
“Së pari duhet të niset nga premisa që akuza rëndon për kryerje të veprës terroriste që ka një dënim pothuajse kapital. Duke pasur parasysh që Prokuroria Speciale konsideron se dyshimi i bazuar mirë është vërtetuar me konfirmimin e aktakuzës, i mbetet gjykatës që të shpalos bindjen e lirë përtej këtij dyshimi”, tha Shkoza.
Sipas tij, qëllimi i sulmit ishte i qartë – të pengonin mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe të kushtëzonin Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Veprimet e ndërmarra tregojnë për një qëllim të organizuar dhe të qëllimshëm për të ndërhyrë në procesin zgjedhor, gjë që e karakterizon tipiken e një vepre terroriste. Në aspektin profesional, konsideroj që ka prova të mjaftueshme për ta vërtetuar këtë”, shtoi ai.
Sipas tij, dënimet për këtë vepër penale variojnë nga 5 deri në 40 vjet burgim.















