Mes ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur në Kosovë që nga paslufta, është cilësuar sulmi terrorist i 2023 në Banjskë.

Mirsad Kryeziu, polic i njësisë për ndërhyrje të shpejtë ka qenë dëshmitari i radhës që është dëgjuar në procesin gjyqësor për sulmin, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Kryeziu kishte qenë udhëheqës i ekipit që kishin hasur të parët në barrikadën e vendosur mbi urën e fshatit, ndërkohë që i njëjti edhe e kishte dërguar Bunjakun nga Banjska në spital.

“Kma vërejtur se nga ai detonim njëri nga pjestarët tanë që në fakt ishte Afrim Bunjaku, ishte i shtrirë për tokë dhe ishte i mbuluar me gjak, sepse detonimet që kishin bërë nga grupi tashmë terrorist ai ishte plagosur në fyt, plaga më e madhe ishte në fyt dhe kishte gjakderdhje të madhe.Unë ju afrova afër ishte e pamundur që të bëja një ndalje të gjakderdhjes apo ti jepja një ndihmë sepse në drejtim tonë ishin gjuajtjet të parreshtura të kalibrave të ndryshëm”, ka deklaruar ai.

Bazuar në përvojën e tij si zyrtar i njësiteve speciale të policisë, Kryeziu ka thënë se sulmi ngjasonte me sulm ushtarak.

“Nuk është rastësisht që këtë sulm e kanë organizuar pikërisht në fshartin Banjska duke e përdorur si mburojë manastirin që ishin edhe pelegrinë në manastir atë ditë, duke i përdorur edhe ata si mbrojtës duke u pozicionuara në pozita të mira për sulmuesit dhe është e qartë se mrapa tyre kishte një pozicion një vend të lire ku ata në mos suksesin e tyre të jo arritur kanë pasur edhe një rruge për tu larguar”, ka deklaruar ai.

Ai është pyetur edhe për arsyen që në ditën kritike nuk kishin qenë duke patrolluar me veturë të blinduar.

“Pas barrikadimit që janë bërë më herët nëpër rrugë në pjesët veriore dhe situata ishte duke shkuar nga qetësia, ishte e qetë dhe nuk kishte dicka që shihnim rrezik ti përdornim mjetet e blinduara dhe na është thënë me shku me mjete normale”, ka theksuar Kryeziu.

Në seancën e kaluar janë dëgjuar dy zyrtarë të tjerë policor të cilët po ashtu përshkruan shpërthimet e gjuajtjet e vazhdueshme me armë të ndryshme, nga grupi që ishte i vendosur në shumë pjesë të Banjskës.

Në këtë proces gjyqësor i cili ka nisur fundvitin e kaluar, të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq, ndërkohë që për 42 të tjerët, përfshirë edhe kreun e grupit Milan Radoiçiq, që janë të përfshirë në të njëjtën aktakuzë Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për të nisur gjykimi në mungesë.