Futbollisti i Manchester United, Mason Greenwood është akuzuar për tentativë përdhunimi, kontroll me forcë dhe sulm, shkruan The Independent.

Sulmuesi, 21 vjeç, do të paraqitet në Gjykatën e Mançesterit dhe Salfordit të hënën për t’u përballur me akuzat.

Janet Potter, zëvendës-kryeprokurorja për Veriperëndimin, tha: “Prokuroria ka autorizuar sot Policinë e Mançesterit të akuzojë Mason Greenwood, 21 vjeç, për tentativë përdhunimi, përfshirje në sjellje kontrolluese dhe shtrënguese, dhe sulme me lëndim trupor.”

Potter tha se të tre akuzat kanë të bëjnë me të njëjtin ankues. Ndërsa dalja e parë në gjykatë e të pandehurit do të bëhet më 17 tetor.

Sulmuesi i Anglisë u arrestua në shtëpinë e tij të shtunën me dyshimin se kishte shkelur kushtet e lirimit me kusht. Ai u arrestua për herë të parë në janar pasi imazhet dhe videot e sulmit u postuan në internet.

Mason Greenwood

Lirimi me kusht i Greenwood duhej të skadonte në prill, por Policia e Manchesterit aplikoi me sukses për ta zgjatur atë në një seancë gjyqësore në qershor.

Një zyrtar nga forcat e policisë tha në një deklaratë se ishte “në dijeni të një pretendimi në lidhje me një 21-vjeçar që kishte shkelur kushtet e lirimit me kusht dhe një arrestim është bërë të shtunën”.

“Hetimet janë duke vazhduar në këtë moment,” shtoi ai.

Futbollisti – i cili ka bërë një paraqitje për Anglinë – u pezullua nga loja dhe stërvitjet me klubin e Old Trafford pasi dolën në dritë akuzat fillestare. Ai nuk është paraqitur për klubin që nga janari.

Nike pezulloi marrëveshjen e saj të sponsorizimit me Greenwood, dhe më vonë e ndërpreu atë, ndërsa Electronic Arts konfirmoi largimin e tij nga skuadrat aktive në lojën e saj Fifa 22.