Sulmuesit në veri, “të strukturuar dhe të përgatitur”

Grupi i personave të armatosur që sulmuan pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë është cilësuar si një strukturë e organizuar dhe e përgatitur mirë nga ekspertët e sigurisë. Kuptohet se ky formacion imiton grupin mercenar rus, Wagner, dhe ka dyshime se nuk mund të vepronte pa dijeninë e autoriteteve serbe

Pamje nga manastiri i fshatit Banjskë, 24 shtator 2023.

Grupi i personave të armatosur që sulmoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë.

Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë në Prishtinë, vlerëson se “formacioni imiton grupin mercenar rus, Wagner”, ndërsa Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se ai nuk ka mundur të veprojë “pa dijen e autoriteteve të Serbisë”.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën të dielën nga një grup kriminal në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Autoritetet thanë se rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit terrorist.

Sipas tyre, sulmuesit e armatosur, rreth 30 prej tyre, ishin vendosur në Manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan.

Sipas Sveçlës, autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi.

Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Çfarë thonë ekspertët e sigurisë?

Profesori Islami thotë për Radion Evropa e Lirë se grupi i armatosur, i cili sulmoi policinë në Banjskë, ishte një formacion i strukturuar dhe i përgatitur mirë.

Sipas tij, grupi nuk funksionoi si i izoluar dhe i vetorganizuar, por si një formacion me uniforma, me armatim specifik dhe i lidhur “me institucionet e sigurisë së Serbisë”.

“Uniformat e tilla i ngjajnë grupit [mercenar rus] Wagner. Duket se ky grup i strukturuar edhe ishte imitues i grupit Wagner”, thotë Islami duke iu referuar mercenarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe në zona të tjera konflikti.

“Armët e gjata, armët luftarake, të gjitha ato janë armë që përdoren në vijën e parë të frontit nga afërsia. Këto janë të mjaftueshme që të thuhet se ky grup terrorist, i lidhur me shtetin serb, ka kryer terrorizëm shtetëror në një territor të huaj”, thotë Islami.

Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se, bazuar nga mënyra se si u realizua sulmi në Banjskë, nuk mund të thuhet se formacioni kreu një akt spontan.

Sipas tij, ai veproi i orkestruar dhe me plan për ta destabilizuar pjesën veriore të Kosovës.

Një gjë e tillë, thotë ai, nuk ka mundur të ndodhë pa dijen e autoriteteve të Serbisë.

“Nëse flasim për mënyrën se si ata janë paraqitur, ajo tregon qartë se ata persona janë trajnuar, janë përgatitur, kanë marrë resurse mjaft të kushtueshme që të mund të operojnë. Mendoj se është e pamundshme që [autoritetet serbe] të mos i kenë informacionet. Tash, lind pyetja: A ka qenë drejtpërdrejt shteti serb i përfshirë në këtë strukturë apo kanë qenë elemente radikale të përziera? Kjo është vështirë të konfirmohet. Por, pasi që ka persona të arrestuar, atëherë informacionet se kush i ka shtyrë ata që të organizohen, do të gjenden”, shpreh bindjen Vrajolli.

Lexo edhe: Tragjedia e 24 shtatorit, sulmi terrorist dhe vrasja e policit Afrim Bunjaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se operacioni policor në veri po vazhdon dhe se policia është në bashkëpunim të ngushtë me forcën e KFOR-it dhe EULEX-in.

“Sulmuesit dyshohen për vepra terroriste”

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar gjashtë persona të dyshuar për përfshirjen e tyre në sulmin ndaj policisë. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë veprat terroriste.

Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme. Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shija e redaktorit

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

ASK: Mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë të regjistruar...

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë...

Të fundit nga rubrika