Gjykata Supreme ka edhe dy ditë afat ligjor për të vendosur lidhur me pesë ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët që kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Nga kjo gjykatë kanë bërë të ditur se ankesat janë ende në shqyrtim dhe se vendimet do të merren brenda afatit të paraparë me ligj.
“Ju njoftojmë se ankesat administrative të paraqitura në Gjykatë Supreme, kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa-PZAP, janë duke u shqyrtuar. Vendimet do të merren Brenda afatit ligjor prej pesë ditësh, nga data e pranimit të ankesave”, shkruan Rtk.
Në pritje të këtyre vendimeve është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se nëse vendimet e Gjykatës Supreme nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, atëherë institucioni do të procedojë menjëherë me certifikimin e rezultateve përfundimtare. Në të kundërtën, fillimisht do të zbatohen obligimet e përcaktuara nga Gjykata, e më pas do të bëhet certifikimi.
Aktualisht, në Gjykatën Supreme janë në shqyrtim ankesat e Listës Serbe, Partisë së Re Demokratike si dhe të dy kandidatëve të PDK-së për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu.
