Supremja i jep të drejtë Kastratit për reformën e arsimit në Kamenicë
Gjykata Supreme e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, dhe ka vendosur në favor të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili në kuadër të reformës në arsim i kishte mbyllur pesë shkolla në disa fshatra të komunës së Kamenicës. Këto pesë shkolla të cilat ishin mbyllur me vendim të ish-kryetarit Kastrati ishin hapur […]





Gjykata Supreme e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, dhe ka vendosur në favor të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili në kuadër të reformës në arsim i kishte mbyllur pesë shkolla në disa fshatra të komunës së Kamenicës.
Këto pesë shkolla të cilat ishin mbyllur me vendim të ish-kryetarit Kastrati ishin hapur pastaj nga kryetari aktual i Kamenicës, Kadri Rrahimaj.
Kastrati i ka bërë thirrje kryetarit të Kamenicës, ta zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme, sepse në të kundërtën do ta ndjekë penalisht atë.
“Ministrja e Arsimit mund ta ketë edhe mbështetjen e mbretit, por askush në Kosovë nuk është mbi ligjin dhe parimet e demokracisë. Këta flasin për PISA, por të vetmen iniciativë serioze që adresonte problemin e kualitetit në arsim tentuan ta pengojnë me çdo kusht. E ftoj Kryetarin e Komunës së Kamenicës ta zbatojë vendimin, në të kundërtën do të detyrohem ta ndjek penalisht”, ka shkruar Kastrati në Facebook.
Tentimi për reformë nga ish-kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati
Në vitin 2020, atëherë kryetar i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, kishte tentuar ta reformojë arsimin në komunë, duke marrë vendim për mbylljen e shkollave në të cilat vijohej mësimi me më pak se 20 nxënës.
Menjëherë pas këtij vendimi, Kastrati hasi në sfida të ndryshme. Një pjesë e konsiderueshme e prindërve, refuzuan ta respektojnë këtë vendim, e si pasojë një numër i madh i nxënësve nuk e vijonin mësimin në shkollat, të cilat i kishte transferuar komuna. Grupit të prindërve të pakënaqur iu kishin bashkuar edhe një pjesë e mësimdhënësve, duke e vështirësuar edhe më shumë reformën e nisur nga Komuna e Kamenicës.

Me gjithë këto presione, Kastrati nuk u tërhoq nga vendimi i tij për reduktim të shkollave. Kjo bëri që në Kamenicë të organizohen protesta nga prindërit e pakënaqur, të cilët vazhdonin që ta bojkotonin mësimin sipas reformës.
Prindërit ankoheshin për mungesë të transportit dhe vështirësive për udhëtim nga fshatrat në qytet, edhe pse kryetari i komunës atëherë ia kishte siguruar transportin të gjithë nxënësve që detyroheshin të udhëtonin. Por, edhe pas kësaj zgjidhjeje, prindërit nuk u dorëzuan, ata vazhduan t’i rezistonin vendimit për reformë.
Në mars të vitit 2020, Ministria e Arsimit, kishte marrë vendim për organizim të përshpejtuar të mësimit për 441 nxënës në Kamenicë, të cilët gati dy vjet nuk kishin vijuar mësimin për shkak të reformave arsimore.
Qëndron Kastrati humb zgjedhjet, reforma nuk vazhdoi me kryetarin e ri
Në zgjedhjet e fundit komunale, në garën e balotazhit ishte Qëndron Kastrati kandidat i pavarur dhe Kadri Rrahimaj i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Në fushatën parazgjedhore, Rrahimaj kishte garuar me premtimin se do ta ndalte reformën e nisur nga Kastrati. Kurse Kastrati, kishte vazhduar me premtimin e njëjtë se do ta vazhdonte deri në fund reformën e nisur.

Garën e fitoi kandidati i VV-së, duke e ndalur kështu edhe rrugëtimin e mëtutjeshëm të reformës së nisur nga Komuna e Kamenicës.
Një nga arsyet e humbjes së zgjedhjeve, Kastrati kishte përmendur pikërisht reformën e nisur nga ai, e cila sipas tij, i ka kushtuar edhe me votë.
Kastrati kishte planifikuar që reforma t’i përfshinte, gjithsej, dhjetë shkolla në Komunën e Kamenicës.
Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Kastratit
Më 8 prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës. Në vendimin e Gjykatës thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ka tejkaluar kompetencat dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale.

“Ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në vendim.
Pas këtij vendimi në favor të tij, Qëndron Kastrati kishte kërkuar nga ministrja Arbërie Nagavci, të japë dorëheqje.




















