Supremja jep arsyetimin për lirimin nga akuza të Naser Pajazitajt: Nuk ka prova të drejtpërdrejta

Gjykata Supreme ka publikuar aktgjykimin me të cilin është liruar i dënuari, Naser Pajazitaj për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Supremja ka vlerësuar se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit

Naser Pajaziti

Naser Pajazitaj i dënuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, është liruar nga akuzat për “Vrasje të rëndë” më gjashtë prill nga Gjykata Supreme.

Kjo gjykatë në një komunikatë dërguar mediave ka bërë publik aktgjykimin e datës 6 prill, ku thuhet se në këtë çështje nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit.

Në njoftim thuhet se Gjykata Supreme në çështjen penale kundër të dënuarit N.P., e ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të tij, i ka ndryshuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe të Gjykatës së Apelit dhe të dënuarin e ka liruar nga akuza për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.

Ndërsa sa iu përket dy veprave penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të
paautorizuar të armëve, dënimet e shqiptuara në kohëzgjatje prej një viti dhe në kohëzgjatje prej pesë muaj, janë marrë si të vërtetuara dhe dënimi unik është caktuar burgimi në kohëzgjatje prej një viti e tre muaj dënim të cilin N.P., e ka kaluar në burg.

“Gjykata Supreme e Kosovës në tërësi pajtohet me konkludimet e nxjerra nga dy instancat gjyqësore, se në rastin konkret, sipas asaj që ceket në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë nuk rezultojnë të jenë kontestuese rrethanat objektive të rastit dhe atë se: e ndjera D. P., me datë 09.11.2015 kishte dalë nga shtëpia e saj për të shkuar në punë dhe të njëjtën datë edhe është zhdukur. Kufoma e saj ishte gjetur me datë 17.12.2015 në vendin e quajtur “Kroi i Lajthisë”, se e njëjta ishte privuar nga jeta duke u qëlluar dy herë në pjesën e kokës, me një revole të tipit të panjohur. Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, kontestuese janë rrethanat subjektive, përkatësisht fakti se a është kryerësi i veprës penale i pandehuri, dhe është pikërisht ky aspekt, që bëri dallimin mes interpretimit të bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të cilin konstatim e kishte pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë në njërën anë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës në anën tjetër”, thuhet në njoftim.

“Në këtë çështje juridiko penale, nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit, por vetëm indicie dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes. Për këtë arsye, për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore, gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxjerrët prej provave të paraqitura. Pra, duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku, përkatësisht të përjashtohet mundësia që personat e tjerë të jenë kryes të veprës penale. E në rastin konkret, ky qark nuk është mbyllur”, thuhet tutje.

Ndër të tjera thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me standardin e aplikuar së pari nga ana e Prokurorisë së Shtetit e mbështetur pastaj nga ana e dy gjykatave të dy instancave më të ulëta gjyqësore, të cilat përdorën një standard minimal të të provuarit dhe kundruall kësaj shqiptuan dënim maksimal dhe atë pa një vlerësim dhe analizë të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirëse të provave që ishin në shkresat e lëndës dhe njëkohësisht duke bërë interpretim të gabuar të ligjit penal.

Ndryshe, Naser Pajazitaj ishte akuzuar për vrasje të rëndë të Donjeta Pajazitaj në vitin 2015.

Në maj të vitit 2021, Gjykata në Ferizaj në rigjykim kishte dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Naser Pajazitajn.

Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave në vitin 2018 e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Më pas, Gjykata Supreme në nëntor të vitit 2019 i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës, edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika